***
Vapë e nxehtë ishte edhe atëhere, fiks 5 vjet më parë një seri publikimesh të mia pataksën miletin. Vajza e ish kryeprokurorit shqiptar bënte një jetë super luksoze ku binin në sy shumë salltanete por më tepër dy makina Range Rover 70 mijë euro secila e deri te ora Cartier e larë në flori 32 mijë euro me gurë të çmuar.
Kryeprokurori Adriatik Llalla filloi fushatë linçimi dhe kërcënimesh ndaj meje, ashtu siç po bën edhe imami bamirës Elvis Naçi. Qysh pardje Elvisi i Urës së Tabakëve ka mobilizuar hordhi taborësh virtualë duke komentuar me fyerje dhe kërcënime një gazetar që ua ka pirë lëngun betejave të tilla virtuale. Fati i Adriatik Llallës tashmë dihet por mua më shqetëson fati i këtij personazhit tjetër.
Unë e di shumë mirë që ti Elvis Naçi je kodosh në raportet me mediat dhe gazetarët e nëse nuk të funksionojnë joshjet financiare, fillon kërcënimet dhe hakmarrjen por në këtë mesele unë nuk trembem nga ty. Trembem për ty se shoh nervozizëm dhe çorientim e kjo më duket si kënga e fundit e mjellmës.
Ti e di tashmë që laku i abuzimeve të tua financiare po ngushtohet, raportet e auditit të fondacionit tënd nuk janë publikuar kurrë, transparenca e lekëve të bamirësisë nuk kalon as pragun e dhomës tënde të gjumit, Edi Ramës nuk i duhesh më, Argita Berisha nuk merret më me ty se ka hallin e babait të saj plak, Ambasada Amerikane dhe Britanike disa herë të kanë refuzuar vizat përkatëse dhe ti e di mirë këtë, Spak-u do ta fusë emrin tënd pa rradhë në hetimet e vjeshtës ndërkohë ti ysht ndjekësit e tu renegatë të kërcënojnë e fyejnë gazetarët.
Një hoxhë bamirës si ty me emër protestan e mbiemër ortodoks, një klerik fetar që mban shapka plazhi Diesel, vesh bluza me xixa Philip Plein dhe syza dielli me koka luanësh Versace nuk duhet të kërcënojë gazetarët por duhet të kopsitë mirë letra e dokumente, duhet të bëjë transparencë financiare, duhet të jetë i gatshëm në çdo kohë të ballafaqohet me ligjin se kur hidhen prangat e Spak-ut në duar të përlyera nga krimi nuk bëjnë dot derman sharjet apo kërcënimet në facebook që shkruajnë eunukët e tu!