Libri i Irfan Dashit, 40 fakte, përjetime, biseda e debate me Edi...

Libri i Irfan Dashit, 40 fakte, përjetime, biseda e debate me Edi Ramën

381
0

-Vlerë e shtuar në fondin e letërsisë dokumentare-

 

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

Kam patur fatin të jem ndër lexuesit e parë të librit të Irfan Dashit me titullin intrigues “Kam punuar me Edi Ramën”.

 

Ndonëse që në kopertinë na njofton se në libër përfshihen 40 fakte, përjetime, biseda e debate me ish-kryetarin e bashkisë së Tiranës, kryeministrin aktual Edi Rama, në pjesën e parë të tij, që është edhe më tërheqësja për lexuesin, konstatojmë artin e të shkruarit të një monografie mbresëlënëse. Parasëgjithash kjo konsiston në faktin se ky kapitull i kushtohet prejardhjes, etimologjisë së mbiemrit DASHI dhe familjes së tij të madhe, origjina e së cilës është fshati i lindjes së autorit, Greca, që ndodhet në ekstremin jugor të krahinës së Pezës.

 

Krenar për vendlindjen e tij, Irfani, pasi ka studjuar, hulumtuar e përveçuar të dhëna që hedhin dritë mbi vendorigjinën, sjell në vëmendjen e lexuesit lashtësinë e të parëve të tij që u vendosën në këtë fshat nga fundi i viteve 1700 dhe fillimi i viteve 1800.

 

Dhe për të qenë sa më i saktë në etimologjinë e mbiemrit, referuar të dhënave arkivore e gojore, shkruan se i pari që u vendos aty qe Dash Ballhysa, stërgjyshi i stërgjyshit të tij Dervish Dashi, emër ky që u shndërrua në mbiemrin e fisit.

 

Në morinë e fakteve për origjinën e tij, interesante është ekzistenca e një minifabrike (një mulli për prodhimin e vajit të ullirit) në pasuri të kësaj familje që ka funksionuar prej viteve ‘’40-të deri në fund të viteve 70-të të shekullit të kaluar, nga e cila në një vit kur kishte prodhim të bollshëm, familja e gjyshit prodhonte 1000 litra vaj.

 

Dhe nëse autori e ka konceptuar librin e tij “Profile – Analiza – Refleksione”, meritë e veçantë e tij është pikërisht mënyra e profilizimit të personazheve, duke filluar nga:

 

Gjyshi Sadik Dashi që ishte një burrë i mençur, i fortë, autoritar e pak nevrik. Edhe pse pa shkollë ai ishte njeri i bisedave. Si i thonë mbante me muhabet një fshat të tërë.

 

Gjyshja Leme Dashi, një personazh shumë i dashur, që ka ndikuar në mirërritjen e tij; një grua e dashur, e mirë, e pashme dhe me karakter të fortë.

 

Babai Ali Dashi me një jetë të mbushur e të realizuar për atë çfarë bëri dhe emrin e mirë që la pas; që sakrifikoi shumë për fëmijët dhe familjen dhe që kishte kryer me devotshmëri, përkushtim e ndershmëri detyra të tilla si: nënkryetar kooperative, brigadier etj, por dhe detyra shoqërore.

 

“Kujdesi i tij ndaj nesh nuk përfundoi as dhe kur dolëm në jetë. Me të ardhura minimale, me pagën e një punëtori, por me punën e tij kolosale na bëri të gjithëve me shtëpi dhe me familjet tona. Të paimagjinueshme sakrificat e puna e tij! Ai nuk rreshti asnjëherë duke na udhëzuar e këshilluar edhe pse u bëmë prindër me fëmijë. Na porosiste gjithë kohës që të mësonim, të silleshim mirë, të respektonim të tjerët, të zgjidhnim shokët dhe të ishim të sinqertë dhe të jetonim me mundin e djersën e punës sonë të ndershme”, shkruan Irfani.

 

Dhe padyshim, dashuria dhe dhembshuria e tij është nënë Merushja, që ka patur një jetë të vështirë, jo vetëm se ka rritur 7 fëmijë, por dhe se ka punuar shumë dhe në punë të vështira e të lodhshme në bujqësi.

 

Në këtë mjedis familjar, Irfan Dashi, lindi, u rrit, u mirëedukua dhe u formua për të qenë përfaqësues dinjitoz i saj, i elitës pezake, një intelektual dhe politikan me kontribute të vyera.

 

Në librin e tij, me mjete shprehëse të gjetura e gjuhë të pasur, jepen detaje jetësore dhe episode mbresëlënëse, që nga fëmijëra, shkolla fillore në fshatin e lindjes në vitin 1969 me rezultate shumë të mira si nxënësi më i mirë i shkollës, që lexonte shumë mirë, kishte diksion, shkruante bukur dhe bënte hartime të mira: që ishte më i miri edhe në matematikë (dinte përmendsh në klasë të dytë tabelën e shumëzimit dhe pjesëtimit).

 

Më tej në shkollën 8-vjeçare në Kamëz, prej nga filloi të ravijëzohet jeta e tij dhe nga u hodhën themelet e së ardhmes. Jeta në konvikt në vitet 1969-1973 janë vitet e shkollës tetëvjeçare dhe të adoleshencës së Irfan Dashit, të cilat i kaloi larg familjes. Madje vitet në konvikt (kur sapo ishte bërë 11 vjeç), siç shkruan ai në këtë libër, i forcuan kurajon e durimin për t`i bërë ballë i vetëm të gjitha sfidave e vështirësive.

 

Pas mbarimit të 8-vjeçares, nxënësit exelent Irfan Dashi, ndërsa dëshironte të studjonte për gjuhë të huaja, i doli e drejta e studimit dhe bursa për në shkollën Mekanike Bujqësore në Shkozet të Durrësit. Sërish me rezultate të shkëlqyera dhe shembull edhe në aktivitetet kulturore artistike, duke mbrritur deri në jurinë e një konkursi në shkallë rrethi.

 

Në memorien e tij është ngulitur një staf pedagogjik i shkëlqyer ku bënin pjesë: Mësuesi i letërsisë, i miri, i ëmbli e simpatiku Bardhyl Agasi, mësuesit e Fizikës, Elvira Pajuni dhe Arben Babameto, mësuesi i kimisë, shkodrani Myfit Juka; mësuesi i historisë, një durrsak i vjetër e i përpiktë Aleksandër Ziu; mësuesi kujdestar në vit dytë e tretë që jepte lëndën e teknologjisë, Besnik Bajraktari; mësuesi kujdestar në vitin e katërt që ka dhënë lëndën e rusishtes, Xhevdet Nerjaku; mësuesja e rusishtes, Teuta Haçkavia; mësuesit e matematikës Medi Milaqi dhe Viktor Pali; ai i vizatimit teknik, një njeri fisnik, një durrsak i vjetër, inxhinieri Virgjil Golgota; mësuesit e lëndëve teknike, inxhinierët skrupulozë të shkollës ruse: Kozma Stavri, Aleko Deçolli e Jorgji Dushniku, por dhe më të rinjtë, inxhinierët Sulejman Çegrani dhe Rexhep Disha; mësuesit e edukimit fizik, figura të shquara të futbollit durrsak dhe atij shqiptar, Vladimir Ajazi e Agim Bulku, etj.

 

Nga ky libër mësojmë se me përfundimin e shkollës së mesme me mesatare të lartë, dhe pas një viti stazh të cilin e kreu pranë Stacionit Makinave e Traktorëve Tiranë, Irfanit i doli e drejta e studimit për inxhinieri mekanike, ku dhe u diplomua në këtë degë.

 

Dijet e fituara në universitet do t’i implementonte në SMT e Tiranës ku kaloi të gjitha stadet e drejtimit.

 

Një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe që do të mbetet e pashlyer në memorien e autorit të këtij libri është drejtimi i Sindikatës së Tiranës (Konfederatës) për një dekadë. Më së miri kontributi i tij në këtë drejtim jepet në dhjetra artikujt e botuar në gazetën “Pasqyra”. Në këto artikuj reflektohet publicistika e pasur e këtij autori në dhjetra analiza, refleksione e debate, ku unë do të veçoja:

 

  • Mbresat nga takimet me ish-presidentët Ramiz Alia dhe Sali Berisha:

 

  • Disa nga aksionet sindikale:

 

  • Tubimin në sheshin “Skëndërbej, me leje të Sali Berishës pas realizimit të takimit me të, të datës 28 gusht 1992:

 

  • Dorëheqja nga drejtimi i Konfederatës së Tiranës, etj.

 

Nisur nga lënda tejet e pasur dhe konfiguracioni i librit, përvoja e Irfan Dashit si kryetar i Njësisë Administrive Nr 6 (Kombinat) për dy mandate, 2000-2006 dhe më pas në drejtimin e ndërmarrjeve të rëndësishme si ajo e Pastrim- Gjelbrimit të bashkisë së Tiranës dhe Rezervave të Shtetit, përbëjnë padyshim pjesët më potenciale të tij.

 

Ndonëse ndesh në modestinë e tepruar të autorit, si protagonist kryesor i këtyre institucioneve, nga aktiviteti tejet intensiv, takimet me titullarë kryesorë të kohës por dhe me njërëzit e thjeshtë, lexuesi do të njohë nga afër intelektualin erudit, kuadrin e përkushtuar ndaj qytetarit, të ndershëm e kurajoz, që kurrësesi nuk bën kompromis me pengestarët, të korruptuarit, të inkriminuarit, etj.

 

Ndërkohë qëndrimi kurajoz i autorit (referuar 40 fakteve, përjetimeve, bisedave e debateve me ish-kryetarin e bashkisë Tiranë, kryeministrin aktual Edi Rama), evidentohet në raste të tilla si:

 

  • Reagimin e Ramës, kur Irfani kundërshton marrjen në dorëzim të pemëve jashtë standardit;

 

  • Debati për krasitjen e oleandrave:

 

  • (Mos) heqja në kohë e afishes së Kiço Londos tek kryqëzimi i Lanës në bulevardin kryesor të Tiranës, që desh i kushtoi vendin e punës:

 

  • (Mos) zbatimi i Urdhërit për prerjen e kabllove të internetit të kompanisë “Abissnet” të K. Kokëdhimës:

 

  • Debati për zëvendësimin e disa dafinave te lulishtja “Vëllezërit Frashëri”, që thaheshin për shkak se toka mbante lagështirë, etj, etj…….

 

Pikërisht për trajtimin me mjeshtri artistike të këtyre fakteve, ngjarjeve e personazheve, libri i Irfanit përbën risi në tërësinë e botimeve të shumta të viteve të fundit. Kjo edhe për faktin se siç shkruan Xhevdet Shehu në parathënie: “Irfan Dashi e ka shkruar këtë libër përtej bindjeve të tij, me sinqeritet dhe vërtetësi. Sepse e ka njohur nga afër dhe ka punuar me Edi Ramën.

 

Libri i tij përbën befasi për lexuesin edhe për nga mënyra e rrëfimit e përshkrimit të ngjarjeve e personazheve. Kështu, nëse në fillim konstatojmë përshkrimin brilant të vendlindjes së tij, me të njejtin origjinalitet përshkruan Irfani një nga takimet me Ramën në zyrën e tij, kur Ai përjetonte me trishtim dhe ankth sëmundjen e të birit. Gregut, që fatmirësisht u shërua.

 

Pjesë dominante në këtë libër janë gjithashtu programet, platformat elektorale, analizat me argumente bindëse, statistikat perfekte të autorit, para dhe pas fushatave elektorale të viteve 2000-2019, të cilat mund t’u shërbejnë si modele studjuesve e analistëve të politikës dhe në veçanti pretendentëve për deputetë e kryebashkiakë.

 

I drejtëpërdrejtë është autori i këtij libri, si në vlerësimin e kontributeve dhe të mbështetjes që i kanë dhënë ish – deputetët e zonës Monika Kryemadhi e Saimir Tahiri në sjelljen dhe realizimin e investimeve që ia ndryshuan pamjen Kombinatit, po ashtu edhe ndaj qëndrimeve abuzive e spekullative të ndonjë ish-zyrtari apo militanti, në raste përzgjedhjeje kandidatësh për kryetarë e këshilltarë të Njësisë. Madje në këtë libër ka episode (refereuar edhe

 

pjesëmarrjes së tij në mënyrë aktive në një debat televiziv) që dëshmojnë qëndrimin konstant e të palëkundur të Irfan Dashit, edhe kur spekulluantët kanë aluduar, madje edhe kanë shpifur në 2005, sikur Ai po “tradhtonte” interesat e zgjedhësve, duke kaluar me LSI (!).

 

Dhe gjithshka e shkruar me mjeshtri artistike në këtë libër, bazohet jo vetëm në memorien, por dhe në ditarin që ka mbajtur autori për një hark kohor prej afro dy dekadash, ku reflektohen analiza e qëndrime të tij për ngjarje që kanë lënë gjurmë, takime e debate rastësore por edhe të qëllimshme, me eprorë e vartës të tij. Nga këto ditarë nuk është e vështirë të konkludojmë se mbajtësi i tyre Irfan Dashi është njeri i rregullt, i vëmendshëm, parashikues, optimist, krahasues, vizionar dhe nga të rrallët funksionarë e drejtues partiak që ka njohur dhe aplikuar institucionin e dorëheqjes (vlerësime këto të reflektuara edhe në qindra sms-të e shokëve e miqve në rrjetet sociale pas dorëheqjes së tij nga kreu i degës së PS së Kombinatit, që të vendosura në mbyllje të librit, përbëjnë një nga risitë e këtij botimi).

 

Në këtë libër, Irfani është vetvetja dhe kjo evidentohet edhe kur perifrazon ish-presidentin e SHBA Benxhamin Franklin se “Masa e vlerës së një njeriu është puna dhe jo pasuria”, duke e vlerësuar punën me njerëzit sa të bukur po aq dhe të vështirë. Ndërkohë që kur shkruan se Largimi nga drejtimi i Partisë Socialiste të Kombinatit” (pas 13 vitesh si rast unikal) dhe nga pozicionet drejtuese në administratë nuk e ka ligështuar, e as nuk e ka bërë “pulë të lagur”, jo pa qëllim perifrazon shkrimtarin Shefki. Karadaku në librin e tij “Vila e magjepsur” se: Shteti është një pemë e lartë ku hipin e zbresin me qindra ofiqarë. Pasi zbresin bëhen si pula të lagura”. Kjo thënie është e vërtetë, por nuk ka lidhje me Irfan Dashin, i cili drejtimin, postin nuk e ka konsideruar asnjëherë si ofiq, por si detyrë e mundësi të artë për t`u shërbyer njerëzve…që punën me njerëzit, dëshirën e përkushtimin për t`u shërbyer atyre, i ka patur dhe i ka pasion!

 

Si përfundim do të thoja se libri i Irfan Dashit “Kam punuar me Edi Ramën” për vetë tematikën e larmishme, lëndën e pasur dhe mesazhet që përcjell tek lexuesi është vlerë e shtuar në fondin e letërsisë sonë dokumentare.