Lajme

Letra e një gruaje të vrarë për Shën Valentin Nga Miranga Haxhia

By vizional

February 14, 2020

Nuk po të shkruaj se të dua, por sepse ti më do. Dashuria jote për mua është e parezistueshme.

Nuk i bëra dot ballë.

Kur unë të shkrova letrën e parë të dashurisë, shumë vite më parë, ti nuk iu përgjigje. U talle me mënyrën se si unë të kisha dashur në atë letër.

Të flisja për dete e vale të qeta, për pyje e shushurima, për afshe e puthje të patreguara, të shkruaja për bime të egra që rriten mbi shkëmbin e jetës. Pastaj guxova e të shkrova për drithërimat e zemres sime. Ç’ mezi prisja të zhytesha në përqafimet e tua. Të shkruajta për nxehtësinë që buronte nga trupi yt, dëshira ime për ty shpërtheu e lulëzoi në tërë qenien time.

Une flisja për stuhi mes trupave tanë. Shkruaja për ulërima të marra ere, për vetëtima që ndriçonin qiellin e bubullima shurdhonjëse. Per shiun që pikonte mbi ne.

Por asgjë pas kësaj.

Letres i ngjita me pështyme një pullë poste dhe e nisa në adresën tënde.

Përgjigjia e saj ishte dashuria jote për mua. Nuk ishte një cope letre me rriga, por dajak. Ajo u rrit pak e nga pak.

Ne fillim indiferente kalonte e me fshikte shkarazi, pa më lënë gjurmë. Pastaj ndonjë shpulle per gjellen e ftohte. Veshtrim i vëngërt për të foluren time të ëmbël. Nje burrni e tepruar pushtoi tere trupin tend, muskujt e tu, nervat dhe te foluren tende.

Ti ngjize urrejtjen bashkë me fëmijën në barkun tim. Nuk e kam kuptuar kurrë pse-në.

Sa më shume më poshteroje, aq më shumë të përunjesha e të doja. Sa më shumë më fyeje, aq më tepër unë të falja ditës tjetër.

Pastaj erdhi gjema. Më vrave. Në sy të fëmijës. Pa t’u dridhur qerpiku. E pra, kjo ishte ajo qe ti quaje dashuri.

Une e kuptoj pse e bëre, edhe pse po te flas nga bota matanë letres sime të dashurise së parë.

Ti me vrave, sepse më doje. Ashtu mësove te me doje. Duke mos e kuptuar kurre se une isha nga soji i gruas që edhe ty të solli në jetë dikur. Dhimbja e nënës tënde, i dashuri im, nuk ishte për vdekjen time. Ishte për vdekjen e saj. Nga biri vrasës.

Nuk po të shkruaj se të dua. Por të shkruajta, ngaqe ti më do. Në mënyrën tënde.

Gëzuar festën që nuk e kuptova kurrë. Sa isha gjallë.