Ekonomi

Leku në epërsi ndaj valutave të huaja, ‘shembet’ lira turke, euro dhe paundi britanik

By vizional

May 23, 2018

Leku vijon të mbajë epërsinë ndaj valutave të huaja që këmbehen në tregun vendas valutor. Monedhave të huaja që kanë regjistruar humbje të ndjeshme u është shtuar edhe lira turke, e cila ditët e fundit është zhvlerësuar duke zbritur në nivelin e 22.4 lekëve. Javën e kaluar kjo valutë qëndronte në vlerat e 24.37 lekëve. Prej fillimit të muajit Maj, lira është zhvlerësuar me rreth 13% të vlerës së saj kundrejt lekut. Ndryshimi erdhi si pasqyrim i situatës në tregjet ndërkombëtare, ku lira turke ra pasi agjencitë e vlerësimit ngritën alarmin mbi planet e vendit për të shtrënguar politikën monetare. Në rënie ditën e sotme shfaqet edhe monedha e përbashkët europiane, e cila ka humbur 0.1 pikë të tjera ndaj lekut. Euro ndodhet tashmë në nivelin e 126.5 lekëve në shitje dhe 127.4 lekëve në blerje. Një zhvlerësim ka pasur edhe paundi britanik, i cili ka zbritur në nivelin e 144 lekëve. Tregjet duket se po ecin në errësirë sa i takon kësaj valute, prej mungesës së të dhënave mbi politikën monetare të Bankës së Anglisë. Ndërkohë, fryma e skepticizmit sa vjen e shtohet me përparimin pa progres të negociatave për daljen nga Bashkimi Europian. Ndërkohë, në rritje ditën e sotme është shfaqur dollari amerikan, i cili ka rifituar disa prej humbjeve të ditës së djeshme. Dollari këmbehet sot për 107.6 lekë në shitje dhe 108.5 lekë në blerje. Momenti pozitiv i valutës së SHBA ndjek ecurinë e tij ndaj shportës së valutave kryesore në tregje. Sa i takon valutave të tjera, dollari australian dhe ai kanadez kanë rënë përkatësisht në 81 lekë dhe 83.4 lekë, ndërsa franga zvicerane ka fituar plot 1 pikë ndaj lekut krahasuar me ditën e djeshme, duke arritur në kuotën e 108.5 lekëve./Tv.Scan/