Lavrov: SHBA-të, përgjegjëse për provokimet ndaj ushtarëve rusë në Siri

Lavrov: SHBA-të, përgjegjëse për provokimet ndaj ushtarëve rusë në Siri

233
0

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Lavrov ka akuzuar SHBA-të për ndjekjen e standardeve të dyfishta në luftën kundër terrorizmit në Siri, duke thënë se Uashingtoni inkurajon “provokime fatale” kundër forcave ruse dhe siriane. Në një intervistë me gazetën “Asharq al-Awsat” Lavrovi hodhi dyshime mbi aktivitetet e militantëve të mbështetur nga SHBA-të, si edhe nga koalicioni i udhëhequr nga Uashingtoni, në atë që thuhet të jetë një operacion anti-ISIS në Siri. “Në disa raste, ata kanë frymëzuar terroristët për të sulmuar pika strategjike, mbi të cilat Damasku zyrtar ka rivendosur autoritetin e tij legjitim, ose për të kryer provokime fatale kundër personelit tonë ushtarak”, tha ministri. Vërejtjet erdhën në mes të tensioneve në rritje në Deir ez-Zor të Sirisë ndërmjet militantëve të mbështetur nga SHBA-të dhe forcave qeveritare siriane, të mbështetura nga Rusia. Muajin e kaluar, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se trupat siriane në Deir ez-Zor ishin dy herë në shënjestër të mortajave dhe raketave nga rajonet ku forcat e sponsorizuara nga SHBA-të janë aktive. “Nëse aplikoni standarde të dyfishta, ndani terroristët në ‘të këqij’ dhe ‘jo shumë të këqij’ dhe detyroni të tjerët të hyjnë në koalicionin tuaj për motive politike, duke harruar nevojen e miratimit të këtyre veprimeve nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, atëherë është e vështirë të flitet për efikasitetin e luftës kundër terrorizmit”, u shpreh Lavrovi. “Është e pamundur të çrrënjoset terrorizmi në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut vetëm përmes mjeteve ushtarake”, tha ai duke shtuar: “Avantazhi i politikës sonë konsiston në atë që ajo nuk synon interesa të ngushta dhe nuk ka një axhendë të fshehtë”. Të gjithë aktorët në Siri duhet të “braktisin ambiciet e tyre gjeopolitike dhe të kontribuojnë plotësisht në rivendosjen e stabilitetit dhe sigurisë në vend dhe në tërë rajonin”, theksoi ministri rus.