Sadio Mane para pak vitesh, kur ishte pjesë e Liverpoolit në Premier League, u pa me një IPhone 11 me xham të thyer dhe të shumta ishin reagimet në lidhje me këtë, pasi jemi mësuar që futbollistët t’i shohim gjithnjë me telefonat e fundit dhe gjithçka të kuruar.
Por ishte ajo foto që i ndihmoi të gjithë të mësonin se kush është Sadio Mane. Të shumtë ishin gazetarët që u interesuan për jetën e tij jashtë fushës dhe në fund rezultoi se kemi të bëjmë me një kampion të madh edhe në jetën e përditshme.
Mane nuk e ka harruar në asnjë moment se nga vjen dhe është zotuar që ta zhvillojë sa mundet vendlindjen e tij. Ai po e transformon fshatin ku ka lindur, Bambalin. Prej kohësh në këtë vend në Senegal po ndërtohet një spital i ri, një shkollë e mesme, një pikë karburanti dhe një zyrë postare e madhe.
Jo vetëm kaq, pasi ylli i Bayern Munchen që kur është bërë një futbollist i madh i ka akorduar një fond mujor familjeve të fshatit të tij të lindjes, duke i dhënë një shumë prej 100 dollarësh në muaj. Kjo shifër në Senegal është sa një rrogë mesatare.
Mane nuk është parë asnjëherë të reklamojë makinat apo orat e luksit dhe kjo është një dëshmi e qartë se sulmuesi senegalez para se të jetë një profesionist i madh në futboll, është një njeri i admirueshëm në jetën normale. Një model i jashtëzakonshëm frymëzimi.
.