Është zbardhur drafti, i cili parashikon se si do të funksionojnë bastet sportive online.
Ministria e Financave ka thënë më herët se bastet do të ligjërohen brenda muajit mars. Ndërkohë që në buxhetin për vitin 2023, është parashikuar që të arkëtohen 2 miliardë lekë vetëm nga kjo nismë. Qeveria parashikon që ky fond të përdoret më pas për të nxitur sportin.
Në projektligjin që ende nuk është zyrtarizuar, janë parashikuar që të ashpërsohen kushtet për licensimin e kompanive si dhe të rritet taksimi. Sipas parashikimeve në draft organizatorët e kategorisë “Baste sportive online” do të tatohen në masën 25 % të të ardhurave bruto nga loja. Më herët taksimi i basteve sportive online ishte vetëm 15%.
Ndërkohë që janë vendosur kritere të forta në lidhje me kushtet që duhet të plotësojnë kompanitë të cilat duan të përfitojnë të drejtën e organizimit të basteve sportive online.
Në draft është parashikuar që çdo person juridik apo bashkim personash juridikë, që kërkon të pajiset me licencë në kategorinë “Baste Sportive Online”, duhet të përmbushë kriteret, siç janë:
Të jetë shoqëri aksionare, me seli në territorin e Republikës së Shqipërisë, e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, në objektin e veprimtarisë të së cilës të pasqyrohet veprimtaria për lojëra fati në kategorinë “Baste Sportive Online”.
Po ashtu, shuma e kapitalit të kësaj kompanie duhet të jetë jo më pak se 1.2 miliardë lekë. Kushte të tjera që duhen përmbuishur janë të deklarojë burimin e kapitalit që do të investohet dhe të ketë një veprimtari për jo më pak se 3 vjet në këtë sektor.
Kompania ka detyrimin të regjistrojë paraprakisht çdo lojtar që do të marrë pjesë në baste sportive online si dhe të marrë e të ruajë të dhëna për identitetin e tyre për të paktën 3 vjet.