Zbardhet dinamika e vrasjes së shqiptarit në Itali/ “Dikur ishin miq, ziheshin për gjëra banale”

Ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Itali, ku një shqiptar u vra nga fqinji i tij, erdhi si pasojë e mërive të vjetra mes palëve.



Kështu raportojnë mediat fqinje, sipas së cilave, para krimit, mes 59-vjeçarit shqiptar Gëzim Dodoli dhe Sandro Mugnai, 53-vjeçarit italian, kishte pasur konflikte të vazhdueshme, që nga fjalët përfundoi në veprime.

Shqiptari mori ekskavatorin e tij dhe u përpoq të shkatërronte shtëpinë e fqinjit. Ky i fundit, duke parë se çfarë po ndodhte, mori armën e gjahut dhe e qëlloi 59-vjeçarin për vdekje.

La Nazione sjell edhe dinamikën e ngjarjes.

Rreth orës 20:30 të 5 janarit në shtëpinë e Sandro Mugnai po darkohej. Në tavolinë ndodheshin 2 vajzat e 53-vjeçarit dhe persona të tjerë. Në një moment dëgjojnë zhurmë. Shtëpia po tronditej nga goditjet e mjetit të rëndë.

Në tentativë për t’i shembur shtëpinë, rrugës shqiptari dëmtoi edhe 4 automjete. Më pas goditi dritaret e katit të parë, ashtu sikurse çatinë. Në këtë moment Mugnai u ngrit, mori armën e gjahut dhe qëlloi disa herë në drejtim të shqiptarit. Të paktën 3 plumba shkatërruan xhamin e ekskavatorit dhe goditën edhe 59-vjeçarin shqiptar.

Përveç të shtënave, dëgjoheshin britmat e atyre që ndodheshin në shtëpi, ashtu sikurse edhe motori i ekskavatorit që vijonte të ishte i ndezur, ndërkohë që Dodoli ishte në agoni.

Kur karabinierët dhe zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, 59-vjeçari kishte ndërruar jetë. Mugnai u dërgua në policinë e Arezzo-s, ndërsa autoritetet fikën mjetin dhe ndihmuan familjen që të dilte nga shtëpia tejet e dëmtuar. Më vonë, banesa u shpall e pabanueshme.



Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, mes fqinjëve që dikur kishin qenë mjaft miq, të paktën nga sa është mësuar deri më tani marrëveshjet kishin lindur për shkaqe banale, si volumi i muzikës apo era e keqe nga tubacionet. Megjithatë askujt nuk ia merrte mendja që situata për mund përshkallëzohej deri në këtë pikë.

Mugnai është në burg. Ndërkohë të hënën ai do të dalë para gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë. Avokatët e tij mbrojtës, sipas mediave italiane, njoftuan se do t’i mëshojnë faktit se krimin 53-vjeçari e kreu në vetëmbrojtje.

Sipas tyre, goditjet e çatisë e bënë banesën të pabanueshme, ndërsa ajo mund të ishte rrëzuar dhe të vriste personat që ndodheshin në të.

“Dëgjuam zhurmën e metalit që shtypi makinat e më pas im atë, teksa kuptoi çfarë po ndodhte, qëlloi”, tha një prej fëmijëve të të arrestuarit.



Gëzim Dodoli, ishte i martuar dhe kishte 2 fëmijë. Ai kishte shkuar në Itali së bashku me familjen mbi 30 vjet më parë.

Author: morevesh