Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin Edi Rama, përpara vizitës së këtij të fundit në Uashington.
Ambasada e SHBA shkruan në “Facebook” se, në takimin me Ramën, ambasadorja Kim ka përshëndetur “mbështetjen e fortë dhe parimore të Shqipërisë për Ukrainën përballë agresionit rus”.
Gjithashtu, ambasada thekson se gjatë takimit kryediplomatja amerikane ka nënvizuar se lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara, duke vërejtur se barra e përgjegjësisë është natyrshëm më e madhe mbi ata që qeverisin.
“Ambasadorja Kim u takua sot me kryeministrin Rama përpara vizitës së tij në Uashington DC.
Ajo përshëndeti mbështetjen e fortë dhe parimore të Shqipërisë për Ukrainën përballë agresionit rus, qoftë si aleate e NATO-s ashtu edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku SHBA-të janë krenare që do të punojnë me Shqipërinë si “bashkë-penëmbajtëse” për Këshillin në çështjet e Ukrainës.
Ambasadorja Kim nënvizoi se lufta kundër korrupsionit është prioritet kryesor për Shtetet e Bashkuara, duke vërejtur se barra e përgjegjësisë është natyrshëm më e madhe mbi ata që qeverisin.
Ata biseduan gjithashtu mbi rëndësinë e forcimit të institucioneve demokratike, përparimin historik në forcimin e marrëdhënies sonë në mbrojtje, dhe hapat e mëtejshëm për të rritur tregtinë dhe investimet midis SHBA-së dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.