Presidenti Aleksandër Vuçiç do të mbërrijë nesër në Tiranë, në kuadër të takimit të radhës për Ballkanin e Hapur, por ardhja e tij do të pritet me protesta në kryeqytet.
Mediat serbe kanë mësuar detaje lidhur me organizimin e protestës, duke pretenduar se organizatorë janë Sait Dolapi, ish-sekretar organizativ i PD-së lokale dhe Agron Kuliçaj e Sali Lushaj, njerëz të besuar të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Po ashtu, “Novosti” pretendon se Berisha ka kontaktuar personalisht me Ramush Haradinajn për të siguruar praninë e së paku 100 personave nga Kosova në këtë protestë.
Lushaj dhe Dollapi thuhet se kanë udhëtuar për në Kosovë për të organizuar ardhjen e “ekstremistëve” nesër dhe pasnesër në Tiranë. Por nuk mbaron këtu, pasi pretendohet se protestën e ka përkrahur edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Madje serbët shkojnë edhe më tej kur pretendojnë se mbështetësit nga Kosova do të hyjnë përmes Morinës, nga Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, në mënyrë që Policia shqiptare të mos i kthejë pas.