Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç pohoi se për momentin, nuk e vlerëson dot sesa real është ai të cilin e quajti “rrezik që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s, por, sipas tij, situata “nuk është aspak naive”.
Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, ishte shprehur se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO është një nevojë urgjente, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë, dhe kreu i shtetit serb reagoi menjëherë pas kësaj deklarate.
Duke folur nga Kragujevc i Serbisë, Vuçic tha se ka dëgjuar për këtë ide rreth gjysmë viti më parë nga shërbimet e sigurisë serbe. Ai e quajti një “ide të lobistëve shqiptarë, e disa politikanëve nga Bashkimi Evropian dhe Amerika, që t’i detyrojnë vendet e BE-së, të cilat janë anëtare të Aleancës veri-atlantike dhe nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë këtë”.
Sipas Vucicit, një gjë tillë mund të jetë “një justifikim për disa, që të thonë se duhet ta njohin Kosovën, sepse nuk kanë rrugëdalje tjetër” dhe se “nuk mund të dalin kundër kësaj”.
“Kjo do të ishte një përpjekje për të na vënë përpara një akti përfundimtar, për të na thënë se ju jeni të vetmit që keni mbetur për ta njohur pavarësinë e Kosovës”, u shpreh presidenti serb. Katër vendet e BE-së e po ashtu edhe të NATO-s, që nuk e kanë njohur Kosovën, janë: Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania. Qiproja është një tjetër vend i BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.