Një nga reperët më të njohur të Afrikës së Jugut, Kiernan Forbes i njohur me emrin e tij të artit si AKA është qëlluar për vdekje jashtë një restoranti në qytetin e Durban. Reperi Kiernan Forbes u vra së bashku me mikun e tij të ngushtë, kuzhinierin dhe sipërmarrësin Tebello ‘Tibz’ Motsoane.
Sipas informacioneve paraprake, mendohet se ata kanë qenë rrugës për në një klub nate për një performancë kur u qëlluan për vdekje. Motivi i vrasjes mbetet i dyshimtë.
Zëdhënësi i policisë, koloneli Robert Netshiunda, ka deklaruar për BBC se reperi dhe shoku i tij po shkonin drejt makinës së tyre kur atyre iu afruan dy persona të armatosur, të cilët i qëlluan nga një distancë e afërt. Më pas, atentatorët janë larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes.
Disa orë para vdekjes së tij, reperi 35-vjeçar postoi në rrjetet sociale një njoftim për albumin e tij të ardhshëm, Mass Country, i cili do të publikohet në fund të këtij muaji.