Pas largimit të tij si ministër i Brendshëm Sandër Lleshaj është shprehur se nuk ka asnjë arsye për dorëheqjen e Drejtorit të Policisë Ardi Veliu.
Duke folur në emisionin Spotlight në Vizion Plus Lleshaj u shpreh se nuk ka arsye për dorëheqje të drejtuesve të Policisë pasi faji është individual.
“Për akte morale, dorëheqjeje ka nevojë sa të duash. Janë ata që janë debitor ndaj publikut shqiptar për aktet e kryera gjatë karrierës së tyre politike. Sa i përket strukturës së Policisë së Shtetit nuk ka asnjë vend për dorëheqje. Struktura e Policisë së Shtetit është e administratës shtetërore dhe në thelb nuk funksionon dorëheqja. Njerëzit atje emërohen, shkarkohen”, tha Lleshaj.
Teksa u pyet nëse Ardi Veliu kërkon të japë dorëheqjen, a do t’i lejohet një akt i tillë, ai u përgjigj: “Nuk është praktikë e administratës. Sigurisht, që nuk mbajmë njerëz me zor në detyrë, gjithsesi unë nuk shoh asnjë nevojë dorëheqjeje të strukturave të Policisë, për arsye se Policia shqiptare sot përfaqëson institucionin më të besuar nga qytetarët e këtij vendi dhe ky nuk është vlerësimi joni, por i fundit para 2-3 ditësh i programit suedez”.
Kujtojmë që dorëheqja e Ardi Veliut dhe reformimi i Policisë së Shtetit ishte një nga kërkesat kryesore të protestuesve në ditën e tretë të protestës për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha. Lidhur me mundësinë e dorëheqjes së Ardi Veliut kryeministri Edi Rama në qëndrimin e tij ka dhënë një “Jo” të prerë.