Vodhi shuma parash dhe sende nga 3 makina, dalin pamjet se si i riu bënte “kërdinë” në Sarandë

Një 35-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Sarandës, pasi ka vjedhur shuma parash dhe sende personale, në 3 automjete. Mësohet se i riu ka bërë “kërdinë”” me vjedhje në vetëm 2 ditë.

Ndërkohë, policia po vijon punën për dokumentimin e vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.




Njoftimi i Policisë:

Vodhi shuma parash dhe sende personale, në 3 automjete, në qytetin e Sarandës, identifikohet dhe vihet në pranga 35-vjeçari.

Në vijim të punës për parandalimin e rasteve të vjedhjes së pronës e pasurisë dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një shtetas që kishte kryer disa vjedhje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tij. Si rezultat i punës së mirorganizuar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë kapën dhe ndaluan shtetasin E. Z., 35 vjeç, banues në Sarandë.

Nga kryerja e veprimeve hetimore dhe provat e sekuestruara, dyshohet se 35-vjeçari është autor i disa vjedhjeve, konkretisht:

Më datë 17.02.2023, në lagjen nr.2, Sarandë, ka vjedhur një shumë parash dhe sende personale nga automjeti i shtetasit A. K.;

Më datë 15.02.2023, në lagjen nr.2, Sarandë, ka vjedhur një shumë parash dhe sende personale nga automjeti i shtetasit A. T.;

Po më datë 15.02.2023, në rrugën “Adem Sheme”, Sarandë, ka vjedhur një shumë parash dhe sende personale nga automjeti i shtetasit A. Ll.

Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Author: morevesh