Vizita në Shqipëri/ Njerëzit e Erdogan “blindojnë” Tiranën, qindra oficerë zbarkojnë këtë fundjavë në vendin tonë

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan do të zhvillojë të hënën një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku do të pritet me po të njëjtat nderime që i bëri Edi Ramës një vit më parë Ankara. Lapsi.al mëson disa detaje para se “Sulltani” të mbërrijë në vendin tonë. Nesër në Rinas do të zbarkojë një avion ushtarak me makinat e sigurisë së lartë me të cilat do të lëvizë presidenti turk gjatë vizitës njëditore në vendin tonë.

Pas ceremonisë zyrtare të pritjes nga Rama, mësohet se do të ketë edhe një vizitë dhe falje në XHaminë e Ethem Beut, e cila është restauruar me fonde të organizatës shtetërore turke, “Tika”. Ndërkohë në axhendë është planifikuar edhe një vizitë në Laç, në kompleksin e pallateve të ndërtuara nga qeveria turke pas tërmetit të 26 nëntorit.

Nuk dihet ende nëse presidenti turk do të shkojë edhe në Fier, aty ku financoi një spital disa muaj para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Ndërkohë qindra forca sigurie nga Turqia do të vijnë këtë fundjavë në Tiranë për të siguruar vizitën e Erdogan. Të hënën pritet që të ketë kufizim të lëvizjes në shumë rrugë të kryeqytetit shqiptar.

Author: morevesh