Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vendosi këtë të mërkurë, që ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ta kryejë dënimin e tij prej 3.4 vitesh në burgun e Fierit. Në këtë burg, ish-ministrit të Brendshëm, do t’i lejohet të ketë vetëm 4 vizita në muaj. Orari i vizitave për familjarët është nga e hëna në të premte, ora 08:30 – 15:00.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 4 shkurt dha vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, me ndryshimin që Tahiri do të vuajë në burg dënimin me 5 vite heqje lirie. Për shkak të uljes së dënimi, Tahiri do të kalojë në burg 3 vite e 4 muaj. Ish-ministri në bazë të procedurës, vuajtjen e dënimit duhet ta nisë menjëherë në një burg të sigurisë së zakonshme, i cili do të jetë burgu i Fierit.
Brenda Burgut të Fierit, aty ku do të kryejë dënimin ish-ministri Tahiri:
Ky institucion penitenciar është i sigurisë së zakonshme dhe është realizuar në kuadër të programit IPA 2007-2010. Punimet për zbatimin e këtij projekti kanë filluar në shkurt 2011 dhe kanë përfunduar në dhjetor 2014. Kapaciteti është 600 të burgosur dhe 180 të paraburgosur, sipas një njoftimi në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Sipas njoftimit në faqen e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, aty zhvillohen aktivitete social- kulturore të shumëllojshme, aktivitete sportive në mjedise të posaçme të konceptuara për këtë qëllim, si dhe ushtrohen aktivitete fetare, sipas llojit të besimit.
Të paraburgosurve dhe të dënuarve, u afrohet shërbim shëndetësor dhe stomatologjik, asistencë juridike, asistencë psikologjike dhe sociale, kurse të formimit profesional etj.
Por, kush janë ‘të fortët’ që kryejnë dënimin e tyre në qelitë e Fierit?
Safet Bajri – I cilësuar si një nga emrat më të përfolur të botës së krimit, shkodrani Safet Bajri u arrestua në vitin 2018, pasi ndaj tij kishte akuza për trafik droge e prostitucion në Belgjikë. Për këto akuza ai është dënuar nga Apeli në Bruksel me 9 vite burgim. Ndërkaq në Shqipëri, Safet Bajri akuzohet për trafik droge, vrasje, gjobëvënie e shantazh. Bajrit i janë sekuestruar një sërë pronash në Shqipëri. Safet Bajri u ndalua në ambientet e një magazine në zonën e “Xhamllikut”, në kryeqytet.
Arrestimi i 34-vjeçarit u krye në kuadër të një procedimi penal të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, prej afro një viti, pas dyshimeve për përfshirjen e tij apo drejtimin e një organizate kriminale të trafikut të lëndëve narkotike. Nga ana tjetër, ai figuronte në listën e personave më të kërkuar të Belgjikës, i dënuar me 9 vjet burg si kreu i një bande kriminale, që përpiqej të kontrollonte trafikun e drogës në Bruksel. Bajri u vendos për ta kryer dënimin e tij në burgun e Fierit, por disa kohë pasi ai qendroi aty, kërkoi të zhvendosej, sepse sipas tij ndihej i kërcënuar për jetën nga të burgosurit e tjerë që vuanin dënimin në atë burg.
Albert Zaja – Një tjetër emër që vuan dënimin e tij në burgun e Fierit është Albert Zaja, i akuzuar i një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Shkëlzen Kastratit në Fier. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 25 prillit të vitit 2018 në Kamzë. Gjatë një tentative grabitje në market, mbeti i vrarë në sy të djalit 6 vjeç, Agim Buci dhe u plagos bashkëshortja e tij, Merita. Pak ditë pas këtij krimi, policia arrestoi dy autorët, Vladimir Kurtin, i dënuar tashmë me burgim të përjetshëm dhe Ruzhdi Hode me 26 vite. Ka rezultuar se gjurmët e gishtave të fiksuara në automjetin tip “Volklsvagen” me të cilët u larguan autorët, përputhen me ato të Albert Zajës.
Gjithçka është zbuluar pas arrestimit të tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. Hetuesit besojnë se 37 vjeçari ka pasur rolin e bashkëpunëtorit në krim. Ai dyshohet se ka qenë shoferi i mjetit me të cilët u larguan dy autorët, Vladimir Kurti dhe Ruzhdi Hode. Albert Zaja ndodhet në qeli për vrasjen e Kastratit, ndërsa në kërkim vijojnë të jenë bashkëpunëtorët e tij, Elson Xheçuka, Roland Cara dhe Elmir Tufa, që sipas hetuesve janë paguar për të kryer krimin.
Andon Golemi – I dënuar me 25 vjet heqje lirie, Andon Golemi është një tjetër emër i njohur i botës së krimit, i cili vuan dënimin e tij në burgun e Fierit. Golemi është shpallur fajtor nga gjykata për veprën penale “rrëmbim personi”, ndërsa kujtojmë se disa kohë më parë, ai denoncoi dhunën ndaj tij brenda qelisë në burgun e Fierit nga 12 të burgosur të tjerë.
Elvis Gurra – Një tjetër emër që vuan dënimin e tij në burgun e Fierit është edhe Elvis Gurra, i cili akuzohet si një nga autorët e vrasjes së teknikut të kondicionerit, Indrit Çelaj në banesën e vëllezërve Kusi. 26-vjeçari Çelaj humbi jetën pasi u qëllua me një plumb pistolete në kokë nga djemtë e pronarit të ndërtesës ku ai po punonte. Ngjarja ishte e vështirë për tu zbardhur.
Dy vëllezërit Griseldo dhe Albano Kusi, 31 dhe 28 vjeç, pasi qëlluan punëtorin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke e lënë fillimisht të plagosur rëndë, kërcënuan një tjetër punëtor që shoqëronte Indrit Çelën për riparimin e kondicionerit me të cilin kishin lidhje shoqërore, duke i kërkuar të pranojë para autoriteteve se është ai personi që plagosi 26-vjeçari.
Por Lorenc Veliaj, 27 vjeç u largua nga vendi i ngjarjes, për shkak se rezulton të ishte në kërkim policor për vepra të tjera penale. Kujtojmë se disa kohë më parë, Gurra ka bërë një deklaratë të fortë, ku është shprehur se vëllezërit Kusi e kanë paguar atë 70 mijë euro për vrasjen e dy personave, vrasje e cila ka mbetur në tentative.
Artan Koçeku – Akuzohet për vrasjen e Angjelin Shkambit më 17 dhjetor të 2017. Koçeku rezulton i dënuar me 9 vite burg për akuzën e “Grabitjes me armë” të disa pikave të karburantit në Shkodër. 29-vjeçari u arrestua në vitin 2013 si pjesë e një grupit të përbërë prej 4 personash të cilët grabisnin me armë pika karburantesh. Në atë kohë policia numëroi 8 pika të grabitura në lagje të ndryshme të qytetit verilindor. Gjithashtu Koçeku së bashku me të arrestuarit e tjerë Pashko Qarri, e dy vëllezërit Mikel e Marjan Thani janë dhe autorë të vendosjes së eksplozivit në automjetin në pronësi të efektivit të policisë P.Vuksani në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër në shkurt të vitit 2013.
Nuk mbaron këtu! Së bashku me dy persona të tjerë, Fred Shkëmbi dhe Tom Gjergjin, Koçeku vodhi 12 dyqane po në Shkodër. Pas serisë së grabitjeve me armë, Koçeku akuzohet edhe për vrasjen e mikut të tij, Angjelin Shkambit. I njëjti person në vitin 2018 është përfshirë në një konflikt me armë, dhe gjatë ndjekjes nga Policia, ka braktisur mjetin në fshatin Shtoj i Ri dhe ka mundur të largohet. Por nga ana tjetër edhe Angjelin Shkambi nuk ishte një emër i panjohur për policinë. Në shkurt të 2017 ai u arrestua së bashku me një grup prej 13 personash si kultivues të rreth 3 mijë rrënjëve kanabis. Për të shkalla e parë kishte caktuar masën e sigurisë arrest me burg ndërsa Gjykata e Apelit e kishte lënë në arrest shtëpie.