Video skandaloze/ Policët serbë festojnë me këngë për gjenocidin në Srebrenicë, reagon ashpër deputeti shqiptar

Një video e punonjësve të Drejtorisë së Policisë së Pribojit në Serbi, që dëgjohen duke kënduar këngë që u kushtohen çetnikëve serbë që kryen krime në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë gjatë presidencës së Sllobodan Millosheviç, është cilësuar si skandaloze. Ne video ata i thurin lavde gjenocidit të Srebrenicës dhe bëjnë thirrje për krime të reja ndaj minoriteteve pakicë në Serbi.

Sipas sandzakpress.rs, videon e ka publikuar në Facebook njëri prej policëve nga Priboj i Serbisë dhe është realizuar në një restorant gjatë festës së Vitit të Ri.

Kujtojmë se Priboj është një mjedis multietnik, ku gjatë luftës në Bosnje, edhe kundër qytetarëve boshnjakë të kësaj komune të Sanxhakut janë bërë krime të tmerrshme për të cilat askush nuk ka marrë përgjegjësi.

Gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar, policët serbë frymëzoheshin me vargje të tilla për të kryer gjenocid edhe në Kosovë.

Për këtë ka reaguar edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. Sipas tij, këngët e policëve për Sredrenicë të re në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiçit.

“Këngët e policëve për Srebrenicë të re në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiçit.

“O Pazar – Vukovari i ri, oj Sjenicë – Srebrenicë e re”. Këto janë vargjet të cilët gjatë festimit të vitit të ri i kënduan disa pjesëtarë të policisë që veprojnë në zonën e Sanxhakut. Ato i publikuan me krenari edhe në rrjetet e tyre sociale. Sigurisht.

Çfarë të pritet nga polici kur Ministri i tij mohon çdo ditë gjenocidin e Srebrenicës, me heshtjen miratuese të Presidentit Vuçiç. Këngët e policëve në Sanxhak janë fytyra e vërtetë e Serbisë së Vulinit dhe Vuçiçit”, ka shkruar Kamberi.

Author: morevesh