Një grup të rinjsh nga Elbasani kishin hyrë për të vjedhur në një shtëpi bari në Angli, por janë kapur nga persona të tjerë shqiptarë, të cilët kishin në ruajtje shtëpinë. Pasi i kanë kapur, ata i kanë dhunuar, filmuar dhe më pas videot i kanë publikuar në Tik Tok.
Në videon, të cilën e ka siguruar Panorama TV, merret në pyetje një person i quajtur Igli, i cili tregon me detaje se kush e kishte orientuar për të grabitur.
Ndërsa grabitjen thotë se e kishte bërë pasi kishte para borxh.
Igli Fejzo shihet që është me sy të nxirë, ndërsa thotë se në atë shtëpi e kishte orientuar Mandi Çela nga Elbasani.
Ky i fundit, shfaqet në video duke pranuar se është fajtor, ndërsa thotë “Më vrisni ja ku më keni”. Nga dhuna e ushtruar, Mandi Çelës, i kanë thyer edhe dhembet.
Po ashtu burime për Panorama TV bëjnë të ditur se për këtë video që qarkullon në rrjet prokuroria e Elbasanit ka nisur verifikimet.