Kosova ishte një nga shtetet që pas tërmetit shkatërrimtar në Turqi, dërgoi ekipe të specializuara për të ndihmuar në operacionet e kërkim shpëtimit, në përpjekje për të nxjerrë personat e mbetur nën rrënojat e banesave të shembura.
Pjesë e tyre ishin edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, të cilët ditën e sotme kanë ndihmuar në shpëtimin e një vogëlushi 2-vjeçar.
Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, tregohet se forcat e FSK pas shpëtimit të vogëlushit, vijojnë operacionin për nxjerrjen e nënës së saj nga rrënojat.
“Ekipet e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga mëngjesi janë duke operuar me kapacitete të plota në Hatay të Turqisë, në orët e mbrëmjes kanë arritur të nxjerrin një fëmijë të moshës dy vjeçare, dhe janë duke bërë përpjekjet maksimale për të shpëtuar edhe nënën e saj që është e ngujuar në rrënoja.
Ekipet tona gjatë operacionit që janë duke realizuar kanë hasur në viktima në objektet e kolapsuara, por prioritet është duke ju dhënë atyre vendeve ku janë detektuar persona të gjallë, dhe të gjitha ekipet e shpëtimit nga mbarë bota kanë dhënë prioritet për të shpëtuar sa më shumë jetë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Kujtojmë se tërmeti vdekjeprurës në Turqi dhe Siri u ka marrë jetën e më shumë se 12 mijë personave.