Partia Demokratike ka sulmuar sërish ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Mta. PD ka publikuar një video, ku Berisha i ka kujtuar Metës në Kuvend kur ky i fundit ishte kryetar Kuvendi se dha dorëheqjen për 700 mijë euro.
Selia blu thekson se pengjet e korrupsionit mbajnë njëri-tjetrin dhe duan shkatërrimin e PD.
“Pengjet e korrupsionit mbajnë njëri-tjetrin, se po ra njëri bien të gjithë. Kjo është arsyeja që non grata të shpallura e të pa shpallura, janë bashkë, sulmojnë PD, duan shkatërrimin e PD. Sillen si burracakë, e frikacakë, siç bënë një ditë më parë kur u fshehën që të mos votojnë edhe pse mbushën dynjanë se do votojnë kundër në parlament. Shajnë e mashtrojnë, pastaj fshihen që të harrohen. Tashmë demokratët e dinë, shqiptarët e dinë, se e shkuara kërkon të mbajë peng Shqipërinë për hallet e veta. Prandaj është e qartë se po mbështete Berishën dhe Metën, mban Ramën”, thuhet në deklaratë.