Nën masa të forta sigurie, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është transferuar pasditen e sotme në burgun e Fierit ku dhe do të vuajë dënimin.
Tahiri do ta vuajë dënimin e tij prej 3.4 vitesh burg në Fier. Vendimi është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vendosi që ta dërgojë Tahirin atje pas intervistës së sigurisë, ku ai tha se nuk kishte ndonjë preferencë.
Ky institucion i vuajtjes së dënimit është i sigurisë së zakonshme dhe është ndërtuar përgjatë periudhës kur vetë Tahiri ishte pjesë e kabinetit qeveritar. Punimet për burgun në fjalë nisën në vitin 2011 dhe përfunduan në fund të vitit 2014 duke kushtuar 16 milion euro në total, ku pjesa më e madhe, 14.3 milion euro janë kosto e ndërtimit.
Tahiri u dënua nga GJKKO me 5 vite burg, por përfitoi ulje të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ai u shpall fajtor për vetëm një akuzë, atë të “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa SPAK-u nuk arriti të provojë akuzat e tjera në emër të tij, të cilat u rrëzuan.