(Video) Cilat janë pesë mjeket e Forcave të Armatosura/ U nisën sot drejt zonave të prekura nga tërmeti në Turqi

Një grup prej 53 specialistësh të shëndetësisë dhe ekipit të kërkim-shpëtimit janë nisur ditën e sotme drejt Turqisë, për t’i ardhur në ndihmë autoriteteve vendase të tejngarkuar nga situata e rëndë e krijuar pas dy tërmeteve katastrofikë që goditën Turqinë Qendrore, duke shkaktuar viktima në të paktën 10 qytete.



Mes specialistëve shqiptarë janë edhe pesë mjeke, pjesë e reparteve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Aroxhena Mara, Dajana Zenelaj, Arjeta Islamaj, Hygerta Ilica dhe Arjola Mollaj janë përzgjedhur nga repartet përkatëse për të udhëtuar drejt zonës së prekur nga tërmetet shkatërrimtare në Turqi.

Newsbomb.al ka kontaktuar me mjeken Aroxhena Mara, e cila ka shpjeguar itinerarin që do të ndjekin për të mbërritur në qytetet e më të dëmtuara nga tërmeti. Grupi i mjekëve të FA, të shoqëruar edhe nga kreu i Inspektoriatit të Shëndetësisë, Elton Reso do të pritet nga një ekip homologësh të Spitalit Turk të cilët do t’i drejtojnë më pas në zonat ku ka më tepër nevojë.



“Jemi një grup prej pesë mjekësh, secili repart ka zgjedhur nga një mjek. Pjesë e grupit është edhe drejtori i Inspektoriatit të Shëndetësisë në Forcat e Armatosura, mjeku Elton Reso. Do të nisemi me avion nga aeroporti “Nënë Tereza” dhe ndalesa e parë është në aeroportin e Stambollit, më pas do të vazhdojmë drejt zonës së prekur”, u shpreh mjekja Aroxhena Mara.

Mara është shprehur se me një situatë të tillë emergjencash është përballur edhe gjatë tërmetit të 26 nëntorit të 2019-ës në Shqipëri. Megjithatë, situata në Turqi, deri në këto momente duket tepër më e rëndë me rreth 2500 viktima dhe mbi 9000 të plagosur që kanë nevojë të menjëhershme për ndihmë.



“Situata është tepër e vështirë. Ne jemi angazhuar edhe gjatë tragjedisë së tërmetit të 26 nëntorit në 2019 në Shqipëri. Por menjëherë sapo të mbërrijmë në Turqi, do të takohemi me përfaqësues të Spitalit Turk, dhe do të jemi në bashkëpunim me ekipin e mjekëve turq”, tha ajo për Newsbomb.al.

Mjekja Mara tha se pjesë e grupit prej 35 specialistësh janë edhe infermierë dhe forca nga ekipet e kërkim-shpëtimit, të cilët pritet të mbërrijnë sot në Stamboll.

Sakaq, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka shpallur 7 ditë zie kombëtare në të gjithë vendin ndërsa flamuri turk do të valëvitet në gjysmështizë deri në 12 shkurt.

Gaziantep, Adana dhe Diyabakir janë tre prej qyteteve të prekura më rëndë nga dy tërmetet 7.8 dhe 5.7 ballë. Ndërsa qindra viktima janë shënuar edhe përtej kufirit të Turqisë, në Siri.



Author: morevesh