Erion Veliaj zgjodhi “Ditën Kombëtare të Sportit në Katar”, në minikampionatin e futbollit dhe basketbollit për fëmijë për të goditur Federatën Shqiptare të Futbollit.
Veliaj tha se, sikur edhe FSHF-ja të kishte investuar, ashtu siç ka bërë këto vite Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Katarit për sportin, sot në Tiranë do të kishim mbi 100 fusha sportive për fëmijët.
“Unë edhe miku im, Ambasadori Al Marri, e kemi bërë punën tonë. Kemi investuar në shkolla dhe terrene sportive. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, duke filluar nga fushat në Laprakë te fushat te Parku i Liqenit.
Por sikur të gjithë ata që e kanë për detyrë të bëjnë fusha futbolli ta kishin bërë detyrën e tyre sot do të kishim 100 fusha sportive në Tiranë.
Ndaj secili duhet të mbajë përgjegjësitë e veta, por ajo që është e rëndësishme është se, kush e ka mundësinë le të ndihmojë, të kontribuojë dhe të lërë një shenjë, ashtu siç kemi lënë një shenjë me vëllezërit dhe motrat tonë nga Katari,” tha Veliaj.