Ushtria amerikane, shtab në Shqipëri për operacionet speciale! Edi Rama: Super lajm, kemi kohë që punojmë për këtë! Yuri Kim: Kyç për stabilitetin në Ballkan

Komanda Amerikane e Operacioneve Speciale në Europë (SOCEUR) ka njoftuar së fundmi se një shtab i saj pararojë do të ngrihet në Shqipëri. Në njoftim thuhet se selia e re u bë e mundur falë mbështetjes së jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Mbrojtjes si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për rritjen e aftësive të Forcave të Operacioneve Speciale, si një gur themeli për stabilitetin rajonal.

Në deklaratë Komanda e SHBA për Operacionet Speciale në Europë nënvizon se vendosja e selisë në Shqipëri do të sigurojë ndërveprueshmëri më të madhe me aleatët tanë shqiptarë, qasje të rëndësishme në qendrat e transportit në Ballkan dhe fleksibilitet më të madh logjistik.

Shqipëria mbetet një aleate e fortë e NATO-s dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënie të fortë me qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë, gjë që e bën vendosjen e një shtabi pararojë në këtë vend aleat një vendim të natyrshëm. Gjithashtu, kjo vendndodhje redukton në masë të madhe kohën e udhëtimit dhe rrit fleksibilitetin e operacioneve speciale dhe forcave konvencionale në rajon. Kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare dhe profesionalizmin e ushtrisë shqiptare”, thuhet në deklaratë.

“Aftësia për të lëvizur dhe trajnuar me shpejtësi brenda Ballkanit, në bashkëpunim të ngushtë me forcat e tjera aleate dhe partnere, e bëri Shqipërinë vendndodhjen më të mirë për këtë përpjekje”, tha Gjeneral Major David H. Tabor, Komandant i Komandës së Operacioneve Speciale në Europë. “Shqipëria mbetet një aleate e rëndësishme e NATO-s dhe një partnere e çmuar e sigurisë, si në nivel rajonal ashtu dhe global”.

“SOCEUR luan një rol të rëndësishëm për të demonstruar përkushtimin e SHBA-së ndaj aleatëve dhe partnerëve tanë në Ballkan dhe kjo përpjekje po kryhet me mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare dhe përfaqëson vlerësimin për profesionalizmin e ushtrisë shqiptare. Nëpërmjet trajnimeve të vazhdueshme dhe bashkëpunimit të ngushtë, Forcat e Operacioneve Speciale të SHBA-së sigurojnë një lidhje të rëndësishme midis aleatëve dhe partnerëve tanë në rajon, duke rritur kështu stabilitetin rajonal. SOCEUR ka një pozicion unik për të stimuluar marrëdhënien tonë me aleatët dhe partnerët për t’iu kundërvënë ndikimeve keqdashëse, për të ndërtuar ndërveprueshmërinë, për t’iu përgjigjur me shpejtësi kërcënimeve që mund të lindin dhe nëse është e nevojshme, për të mposhtur sulme”, përfundon deklarata e ushtarakëve amerikanë.

Lajmin e ka përshëndetur edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë.

“Një mënyrë e jashtëzakonshme për të nisur vitin e ri me një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhënien SHBA-Shqipëri në fushën e mbrojtjes. Hera e parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ngrejnë një seli të këtij lloji në Shqipëri. E rëndësishme për sigurinë rajonale”, shkruan Yuri Kim.

Author: morevesh