Ultimatumi erdhi nga burgu?! Dyshohet se Erion Alibej urdhëroi ekzekutimin e “Otit” të Elbasanit, 2 të arrestuarit mohojnë akuzat

Plani për eleminimin fizik të një eksponenti kriminal në Elbasan, ishte menduar dy javë më parë, kur në lagjen “Xhabije” të Shkodrës, u vodh një atomjet luksos BMWX6.

Makina ishte transportuar në Elbasan, duke u administruar nga njerëzit e afërm të Erjon Alibej.

Por plani kriminal i dy njerëzve të afërm të penditos, Arben Spahiu dhe Arsen Preçi, dështoi pasi një nga punonjësit e pastrimit në Elbasan, në mbrëmjen e të premtes, zbuloi krejt rastësisht një armë zjarri të hedhur brenda një koshi plerash.

Tashmë të arrestuar, dy autorët e dyshuar kanë mohuar faktet.

Por pavarësisht deklarimeve mohuese, grupi hetimor ka bindjen se ata janë poseduesit e armëve të sekuestruara.

Policia dyshon se shënjestër e atentatit të dështuar ishte Elton Kila, i njohur si Oti i Elbasanit. Atentati ndaj tij mendohet të jetë porositur nga burgu nga Erjon Alibej për shkak të konflikteve që kanë pasur për trafikun e drogës.

Si u zbulua plani?

Një nga punonjësit e pastrimit në Elbasan, në mbrëmjen e të premtes, zbuloi krejt rastësisht një armë zjarri të hedhur brenda një koshi plerash.

Fillimisht punonjësi, ka njoftuar kolegët e tij dhe mandej është telefonuar dhe policia e Elbasanit, e cila ka shkuar me shumë urgjencë në lagjen “Emin Matraxhiu”.

Policia ka kryer veprime duke sekuestruar armën, ndërsa ka filluar të krehë zonën dhe marrë në pyetje rrojen e një magazine aty afër.

Rroja, i ka treguar policisë se në magazinën e ish-konservimit prej disa ditësh ishte vendosur një automjet pa targa dhe nuk dinte se kush person e kishte lënë.




Policia i është afruar këtij mjeti, ku pas hapjes së tij, janë konstatuar 3 automatikë kallashnikovë, dhe dy shishe me benzinë.

Përmes verifikimeve, policia zbuloi se mjeti pa targa, ishte vjedhur dy javë më parë në Shkodër, dhe i përket një personi pa precedentë penalë.

Ndërsa si posedues të makinës dhe armëve, policia ka zbuluar dy personat Arben Spahiu, i cili rezulton të jetë kunati i Erjon Alibej dhe njëherësh vëllai i Arjan Spahiut të vrarë në Belgjikë.

Si dhe personi i dytë është Arsen Preçi, i cili rezulton të jetë kushëri i Erjon Alibej, dhe banues rreth 30 metra larg vendit ku u gjend makina.

Jo shumë larg këtij vendi, banon dhe Arben Spahiu, i cili në momentin kur ka parë prezencën e policisë në zonë, është larguar me vrap duke u ngjitur në shtëpinë e tij në katin e pestë.

Policia e ka shoqëruar, por Spahiu ka pretenduar se ishte larguar me vrap pasi i druhej një atentati me armë, duke pohuar se atentatorët i ishin afruar me makinën e armatosur shumë pranë banesës së tij.

Por pavarësisht këtyre pretendimeve, policia i komunikoi arrestin dy ditë më parë Arben Spahiut pasi në çantën ku është gjendur pistoleta, ishte dhe një mjet identifikimi me foto dhe emër të Arben Spahiut.

Ndërkohë brenda në makinë u gjetën dy bidona me benzinë si dhe policia ka fiksuar gjurmë gishti dhe fije floku.

Ndërsa aktualisht është kërkuar kryerja e ekspertimit daktiloskopik të gjurmëve, ekspertim biologjik të fijeve të flokut dhe ekspertim balistik të tre automatikëve dhe pistoletës.

Author: morevesh