Ulet numri të prekurve nga koronavirusi në vend, mjeku shqiptar në Angli: Ndodhi seleksioni natyror, është imunizuar tufa

Britania e Madhe po vijon vaksinimin e popullsisë me ritme të shpejta, ndërsa pritet që gjatë majit të nisë hapja e disa bizneseve që aktualisht janë të mbyllura. Në një intervistë me Juli Xhokaxhinë në ABC, mjeku shqiptar në Londër, Adrian Fandi tregoi se numri i të shtruarve në spitale është drejt rënies.

Por, procesi i vaksinimit apo masat e rrepta shtrënguese i kanë meritat për uljen e shifrave në Britaninë e Madhe? Sipas Fandit, 90 për qind të rolit e luajnë vaksinat, ndërsa 10 përqindëshi i mbetur mund t’i atribuohet masave shtrënguese.

Në Britani pjesa më e madhe e të vaksinuarve kanë marrë vetëm dozën e parë, dhe kjo sipas mjekut ndikon pozitivisht në uljen e fataliteteve. Por gjithsesi, theksoi ai, doza e dytë është më se e nevojshme.

“Ndjek pacientët e mi, që e kanë bërë vaksinën. Kanë bërë testin e antitrupave, ka pasur pacientë që nuk kanë krijuar imunitet që mund të kenë ilaçe e imunitet të dobët, por ka të tjerë, pacientë normalë, që kanë fituar imunitet. Por doza e dytë duhet. Ka pasur njerëz që janë sëmurur, por japin sëmundshmëri më të ulët.”

Megjithatë, nëse flasim për Shqipërinë, kohëve të fundit është vënë re një rënie e numrit të të shtruarve në spitale, edhe pse niveli i vaksinimit nuk mund të krahasohet me Britaninë e Madhe. Ajo që po ndikon në uljen e rasteve me klinikë në vendin tonë, sipas Adrian Fandit, është imunizimi natyror.

Mjeku tha se duke qenë se ka pasur njerëz që nuk i kanë respektuar masat, në Shqipëri ka vepruar seleksionimi natyror. Më të dobëtit u mposhtën nga sëmundja, dhe të tjerët u iminuzuan.

“Ka ndikuar imunizmi natyror. Kur Boris Johnson para një viti tha që ata do të jetojnë do të imunizohen…njerëzit qeshën. Ndodhi një farë seleksionimi natyror.” sb/abcnews.al/

 

 

Author: admin