Çmimi i naftës shënoi të enjten një tendencë të lehtë uljeje, hera e parë kjo që kur nisi rritja që rrekej të shkonte drejt 300 lekëshit për litër nëse qytetarët nuk do të derdheshin në rrugë.
Pas një rritje galopante të çmimit të karburantit gjatë kësaj jave, në disa pika të tregtimit të karburantit në Tiranë, çmimi është ulur me 10 deri në 20 lekë për litër ose 3% më pak se e mërkura.
Sidoqoftë, çmimi mbetet 26% më i lartë se ai i një jave më parë, që ishte 192 lekë. Në fakt, çmimi ka rënë jo pak në bursat ndërkombëtare, ku një fuçi blihet me 113 dollarë nga 130 të tilla që kushtonte një ditë më parë.
E jo pak ndikim thuhet të ketë hapur edhe deklarata e OPEC-it se do të rrisë prodhimin, duke qetësuar tregjet dhe rënien e çmimit në nivelet e para fillimit të luftës në Ukrainë. Por, si ka reaguar qeveria shqiptare për të zbutur efektet e krizës, krahasuar me vendet përreth?!
Mediat fqinje raportojnë se qeveritë e tyre kanë nisur të marrin masa, jo vetëm për të amortizuar kostot në transport, por edhe për të mbrojtur qytetarët nga çmimet e tjera. Ndërsa qeveria shqiptare duhet ende të marrë një vendim të tillë, duke mbetur e fundit në Ballkan që shpall një paketë ndihme për atë që vetë Kryeministri e konsideron një situatë të re lufte.
Maqedonia e Veriut ka vendosur të heqë TVSH-në për produktet bazë ushqimore, ndërsa familjet më të varfra do të trajtohen me kuponë ushqimorë. Te nafta zbatohet një çmim tavan, ndërsa sërish është vendosur për uljen e akcizës dhe TVSH-së, për një paketë që pritet të kushtojë 400 milionë euro.
Kosova ka nisur të aplikojë gjithashtu një marzhë fitimi prej jo më shumë se 4% për tregtarët me shumicë të hidrokarbureve. Serbia ka vendosur të heqë akcizën e naftës dhe po mbush depozitat e saj për të krijuar rezerva, duke ndaluar njëkohësisht eksportet e lëndëve të para.
Në Greqi, qeveria ka akorduar një fond prej 400 milionë eurosh për familjet e varfra, ndërsa Kroacia po ashtu ka hequr akcizën e karburanteve. Vlerësimi i këtyre qeverive është se nga çmimi i lartë i karburanteve, ekonomia humbet shumë dhe rrezikon kriza. Ndërsa në Shqipëri pritet që me këto çmime, qeveria të arkëtojë 100 milionë dollarë më shumë vetëm nga TVSH-ja e naftës.