Mediat shtetërore turke u përpoqën që me një video të davarisnin të gjithë thashethemnajën mbi shëndetin e Rexhep Tajip Erdoganit.
Ato publikuan pamje filmike ku kreu i shtetit, i përfolur këto kohë për probleme shëndetësore, shihet duke luajtur basketboll me një grup të rinjsh gjatë përurimit të një parku të ri në Stamboll.
Erdogan i këshilloi që të bëjnë sport të paktën tre herë në javë, duke e cilësuar atë si mjaft të rëndësishëm për shëndetin.
Disa ditë më parë, autoritetet turke nisën procedura ligjore ndaj 30 personave që përhapën në Twitter lajmin e rremë se presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka ndërruar jetë.
Hashtagu i përdorur prej tyre u kthye në temë dite në mediat sociale në Turqi.
Personat e vendosur nën hetim përballen me akuzën e përhapjes së lajmeve të rreme me përmbajtje manipuluese dhe fyerjen e presidentit.
Spekulimet mbi shëndetin e kreut 67 vjeçar të shtetit turk u ushqyen edhe nga video ku ai dukej sikur mezi qëndronte në këmbë dhe kishte vështirësi në ecje./shqiperiaime.com.al