Dy persona u shoqëruan nga policia pas të shtënave me armë ndaj televizionit “Top Channel” që ndodhi pas mesnatës së të dielës dhe i vrarë mbeti roja i sigurisë, 60-vjeçari, Pal Kola.
Roberto Papci (ish-dhëndri i Pal Kolës) dhe Agostin Tonaj u shoqëruan si të dyshuar pasi po lëviznin me një automjet tip “Benz, që ishte i marrë me qira në Shkodër.
Pas shoqërimit ata janë marrë në pyetje shkurtimisht nga DVP Vlorë, për t’iu dorëzuar më pas DVP Tiranë për veprime të mëtejshme dhe me pas janë lënë të lirë.
Sipas hetimeve, në ngjarje ka dyshime që kanë qenë 5 persona që kanë marrë pjesë.
Mjeti tip “Range Rover” që u përdor nga atentatorët, kishte ardhur drejt godinës së këtij televizioni nga rruga e Mëzezit, ndërsa thuhet se ka marrë sinjalizim nga një person që mendohet se ka ecur në këmbë pak para ngjarjes.
Ky i fundit dyshohet se ka studiuar terrenin dhe pasi ka parë që rreth orës 12:30 kanë dalë shumë punonjës të televizionit që kanë lënë turnin, ka sinjalizuar atentatorët. Më pas ai është larguar me mjetin e tij që e kishte parkuar pranë vendngjarjes.
Ndërkohë, në automjetin që kreu sulmin udhëtonin 3 persona, ku 2 prej tyre hapën zjarr në drejtim të godinës së Top Channel dhe më pas u larguan drejt autostradës Tiranë-Durrës, dhe dogjën mjetin në Kavajë, ndërsa priteshin aty nga dy automjete të tjera, një BMW dhe një Audi.