Drejtoria e Krimit Ekonomik ka kallëzuar penalisht ish-deputetin Myslim Murrizi, për fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Në një lidhje për Report Tv, Murrizi shprehet se nuk ka pasur dijeni për hetimin ndaj tij, teksa mohon akuzën për pastrim parash. Ish-deputeti e sheh kallëzimin ndaj tij si një vepër të Policisë së Shtetit duke shtuar se ka deklaruar në 4 vite rresht “cdo qindarkë”.
“Duhet të kisha unë njohuri për këtë hetim ndërkohë që unë kam asnjë informacion. Unë kam qenë person i ekspozuar politikisht dhe kam deklaruar pasurinë 4 vite rresht. Të gjitha dokrrat që shkruajnë në atë raport ish sigurimsat si Tonin Voci. Nuk është e vërtetë që jam dënuar, kam marrë pafajësinë nga Gjykata e Lartë. Është vendimi nr. 423 i Gjykatës i së Lartë.
Ky është maskarallëk i një grupi fundërrinash që kryesojnë Policinë e Shtetit. Unë kam deklaruar çdo qindarkë.
Fundërrinat e këtij lloji i kam përdorur shpesh si letra higjienike. Habia më e madhe është akuza për ‘pastrim parash’. Paratë e kujt pastroj unë? Të ministrave të Ramës? Të Lulit? Ata i kanë lavatriçet e tyre”, tha Murrizi për Report Tv.