Manipulimi i zgjedhjeve nëpër shoqatat rajonale ka bërë që UEFA të sjellë mision monitorimi në Tiranë.
Delegacioni i UEFA-s, me mision monitorimin e procesit zgjedhor në Federatën e Futbollit, nisi punën këtë të hënë. Tre zyrtarët mbërritën nga Zyrihu në zyrat e FSHF-së, ku janë njohur me zhvillimet e fundit dhe kanë kërkuar informacion të imtësishëm për proceset zgjedhore në shoqatat rajonale, të cilat kanë paditur Armand Dukën për manipulime dhe trukim të rezultatit, me qëllim paracaktimin e rezultatit për Armand Dukën.
Në ditët e qëndrimit në Shqipëri, pasi të njihet me të gjitha problematikat, pretendimet e palëve dhe të shqyrtojë dokumentacionin e procesit zgjedhor, misioni monitorues i UEFA-s do të përgatisë një raport të detajuar, i cili do t’i paraqitet Presidentit të UEFA-s, Alexander Ceferin, kryeministrit Edi Rama, si edhe FSHF-së.
Gjykata e Tiranës ka rrëzuar zgjedhjet e organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit për Shoqatën Rajonale të Tiranës, duke i cilësuar ato të manipuluara.
Gjykata e Tiranës ka njohur asamblenë e thirrur nga kryebashkiaku Erion Veliaj, dhe ka regjistruar Eduard Prodranin si drejtues të Shoqatës Rajonale të Tiranës. Në vendimin e saj, Gjykata i ka dhënë të drejtë kryebashkiakut Veliaj duke njohur manipulimet e organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit.