Prej tre ditësh qytetarët thuajse në të gjithë Shqipërinë po protestojnë kundër rritjes së çmimit të karburantit dhe produkteve të shportës.
Burime për Syri.Net bëjnë me dije se në dy ditët e para të protestës, në të gjithë vendin janë arrestuar 46 persona, 123 janë proceduar penalisht ndërsa në total janë shoqëruar në komisariat 300 persona.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se 15 persona janë shpallur në kërkim nga policia gjatë këtyre dy ditëve protestë.
Më konkretisht në ditën e parë të protestës më datë 9 mars janë arrestuar 16 persona ndërsa 5 janë proceduar penalisht.
Në ditën e dytë të protestës (dje 10 mars) janë arrestuar 30 persona, 118 u proceduan penalisht dhe 15 u shpallën në kërkim.
Ndërkohë, policia edhe sot ka nisur shoqërimet dhe arrestimet e qytetarëve të cilët po protestojnë kundër rritjes së çmimeve.
S’kanë qenë të rralla rastet kur policia ka ushtruar edhe dhunë ndaj protestuesve të cilët kanë bllokuar rrugët. Një ditë më parë, një ‘polic’ pa numër identifikimi dhunoi operatorin e Syri Tv në Tiranë.