‘Trauma, sëmundje, miqësi dhe dashuri’, jeta e 60 studentëve nga e gjithë bota të izoluar në një bodrum të Ukrainës: Të evakuohemi të gjithë bashkë

Të patën 60 studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët nuk mundën të evakuoheshin nga Ukraina pas sulmit rus, kanë kaluar tetë ditët e fundit të mbyllur në një bodrum. Samuel Otunla është një i ri, i cili aspiron të bëhet veteriner, por lufta i dha një tjetër rrjedhë studimeve dhe ëndrrave të tij. Në një rrëfim për BBC, ai i ka përshkruar ditët e fundit si traumatike.

I mbyllur në një bodrum me pluhur me miqtë e tij të universitetit, ai tregon se së bashku kanë ndarë gjithçka, në mënyrë që ta bënin më të lehtë për njëri-tjetrin situatën e vështirë emocionale që po kalojnë.
“Gjatë tetë ditëve të fundit, ne kemi përjetuar trauma, sëmundje, stres dhe lodhje por, në mes të gjithë kësaj, ne kemi përjetuar edhe miqësi dhe dashuri. Ne kemi ndarë vakte, medikamente, batanije dhe dyshekë me njëri-tjetrin, kemi luajtur lojëra së bashku, jemi lutur së bashku dhe kemi qeshur së bashku”, rrëfen ai.

Ai shprehet se ditët e fundit të gjithë kanë ngecur në qytetin verilindor të Ukrainës, Sumy, që nga shpërthimi i konfliktit. Ata shpresojnë për një evakuim sa më të shpejtë, moment të cilin duan që ta përjetojnë së bashku, njësoj siç kanë kaluar çdo moment që nga sulmi rus.

“Ne nuk kemi qenë në gjendje të largohemi. Hekurudha është mbyllur, rrugët kryesore janë kryesisht të paarritshme,” tha ai. “Por më shumë se çdo gjë, ne duam të evakuohemi së bashku”, shtoi ai.

Samuel Otunla është një nga 60 studentët ndërkombëtarë, së bashku me ukrainasit dhe stafin e hostelit, të cilët rrethohen nga sirenat e luftës, ndërsa shpresojnë që e ardhmja të jetë ndryshe.

Author: morevesh