Përshkallëzohet konflikti mes Ukrainës dhe Rusisë ku duket se është rreshtuar në krah të Rusisë edhe Kina. Ministria e Jashtme kineze ka dalë kundër përdorimit të sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Duke iu referuar sanksioneve të fuqive perëndimore përfshirë ekonominë ruse dhe sektorin e saj bankar, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin tha se masat nuk do të zgjidhin problemet, por do të prodhojnë probleme të reja.
Ai pohoi se sanksionet do të ndërhyjnë në procesin e arritjes së armëpushimit dhe marrëveshjes politike për t’i dhënë fund konfliktit.
“Kina nuk e mbështet përdorimin e sanksioneve për të zgjidhur problemin dhe është edhe më shumë kundër sanksioneve të njëanshme që nuk kanë bazë në të drejtën ndërkombëtare”, tha Wang.