Në Tiranë, prokuroria kërkoi dje masën “arrest me burg”, si të dyshuar për shpërdorim të detyrave, ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, drejtorit të çështjeve ligjore Fatmir Hoxhaj si dhe përmbaruesit privat Alban Ruli.
Skama abuzive u zbulua në mënyrë rastësore, pas një denoncimi të çuar në prokurori nga një bankë e nivelit të dytë në vend.
Prokuroria theksoi në një njoftim për mediat se këta persona i kanë kryer shkeljet ligjore pasi kanë pranuar shpërblimin prej 82 milionë lekëve (rreth 750 mijë dollarë) prej shtetasit Ilir Thana.
50 milionë lekë (afro 455 mijë dollarë) nga shuma e premtuar ata ia kishin kaluar në llogarinë e Thanës, në këmbim të njohjes së tij si pronar i një prone, pa qenë i tillë gjatë një marrëdhënieje kontraktuale me Drejtorinë e Shërbimit Qeveritar të zgjidhur nga gjykata.
Në korrik të vitit 2000 Gjykata e Apelit në Tiranë vendosi pavlefshmërinë e një kontrate shitjeje magazine të vitit 1992 mes Drejtorisë së Shërbimit Qeveritar, Agjencisë Kombëtare të Privatizimit dhe blerësit Ilir Thana.
Sipas këtij vendimi, palët ktheheshin në gjendjen e mëparshme, magazina i kthehej Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe kjo së bashku me AKP-në t’i kthenin blerësit vlerën e objekteve magazinë dhe truall, veprime që u kthyen deri në shkurt 2015.