Gjeologu dhe akademiku turk Dr. Okan Tugsuz ka pohuar për mediet vendase se tërmeti shkatërrues 7.8 Rihter që tronditi vendin mëngjesin e së hënës ishte rezultat i një akumulimi energjie “me madhësinë e 130 bombave atomike”.
“Tërmeti ishte i barabartë me 130 bomba atomike. Hera e fundit që kemi qenë dëshmitarë të një tërmeti të kësaj magnitude ishte më 17 gusht 1999 . Tërmeti më i madh që kemi përjetuar në 23 vjet. Ky është një tërmet i pritshëm,” tha gjeologu për mediet turke.
Ndrëkohë një tjetër gjeolog, dr. Suleiman Pambal foli për një “tërmet që sizmologët e kanë pritur prej vitesh”.
“Ishte një tërmet të cilin e prisnim dhe flisnim prej vitesh. Çarja e Anadollit Lindor është një nga çarjet më të rrezikshme në Turqi, një nga më aktivet që ka kohë që shkakton tërmete. Në seksionet Sincik, Gölbaşı, Türkoğlu dhe Hatay të kësaj çarjeje ka pasur hapësira sizmike dhe zona me probabilitet të lartë tërmetesh”, është shprehur gjeologu.
Sipas të dhënave të përditësuara deri më tani më shumë se 4300 persona janë konfirmuar sit ë vdekur në Turqi e Siri, ndërsa 15 mijë rezultojnë të lënduar nga tërmeti, raporton BBC.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet në mënyrë dramatike pasi ekipet e shpëtimit gjejnë më shumë viktima.
Tërmeti katastrofik që tronditi mëngjesin e djeshëm Turqinë dhe Sirinë kishte magnitudë 7.8 Rihter dhe thellësi 17.9 kilometra.
Epiqendra e tërmetit ishte në Gazientep. Sizmologët thonë se ky ishte një nga tërmetet më të mëdhenj të regjistruar ndonjëherë në Turqi.