“Sekreti i vjetër” vetëm me të verdhë veze, për një fytyrë të re. Gazetarja dhe spikerja e njohur tregon si kujdeset për lëkurën. E ndërsa vitet kalojnë dhe koha bën të vetën ajo vazhdon të mbetet një nga figurat më të dashura për publikun shqiptar.
Tefta Radi tregon disa detaje për preferencat e saj në kuzhinë, recetën e parë të gatuar nga duart e saj, pjatat ku shpalos talentin me aq shumë dashuri dhe sekretet që e bëjnë një amvistë të shkëlqyer.
Ajo tregon gjithashtu sekretin që fshihet pas pamjes së saj vajzërore, pavarësisht viteve që mbart mbi supe.
Prej shume vitesh në pension, por jo e papunë siç thotë, ajo vazhdon të ketë një jetë profesionale aktive.
Koha bën të veten, por disa kujtime mbeten po aty. Arrini të kujtoni recetën e parë që keni gatuar?
Vërtet jeta fluturon, është e shkurtër, e kur kthehesh pas në kujtime gjithçka të fokusohet si në një film.
Sa më shumë vite lë pas, aq më shumë nostalgjike bëhesh.
Ndonëse jetesa nuk kishte standardin e sotëm, në fëmininë e rininë tonë, mendoj se dashuria brenda familjes ka qënë e pamasë.
Mezi prisnim pushimet e verës për të shkuar tek gjyshet tona, prej të cilave mësuam më të mirën që qënia njerëzore ka brenda vetes virtytet, sjelljen e hijshme, dashurinë per njerëzit, librin, e pse jo edhe gatimin.
Ato nuk përtonin të na gatuanin më të mirën që dinin të bënin: lakrorët për shembull Korça i ka zanat.
Më ka mbetur në mendje lakrori me kumbulla të egra, i pjekur me saç.
Ende nuk kam arritur ta shoh një gatim të tillë, apo ta shijoj si atëherë.
Mësuam nga gjyshet si të gatuajmë, të bëjmë një gjë të veçantë. Unë kam gatuar që në moshën 12 vjeçare.
Që në fëmijëri, nëna ma ka lënë të hapur shtegun e gatimit.
Receta e parë kanë qenë petullat me kos, vezë e pak konjak në vend të sodës si gjëja më e lehtë.
Ka ndonjë specialitet në kuzhinë ku ju shkrini gjithë talentin tuaj dhe e gatuani gjithmonë me dashuri? Në përgjithësi shijoj pa masë perimet.
Parapëlqej ta them pa rezerva se talentin e shkrij në tavën me patëllxhana.
I gatuaj me shumë dashuri dhe tradicionalisht siç i gatuan nëna ime, një korçare vërtet nikoqire dhe duarartë.
Ju pëlqen t’i ndiqni recetat e gatimit me përpikmëri apo të eksploroni në kuzhinë, duke gatuar gjëra të reja, duke kombinuar përbërësit që ju pëlqejnë më së shumti?
Në përgjithësi më pëlqejnë gatimet tradicionale, me të cilat kuzhina shqiptare është e pasur.
Lloje të ndryshme supërash nga ato me perime e deri tek supërat e prera me vezë, me kos, çomlek, qofte jani, mish turli, pse jo fasulet e në përgjithësi legumet.
Nuk parapëlqej ushqimet e thata.
Megjithatë gatuaj tavën e kosit, lakronin me spinaq, apo me qepë e domate, pastat e ndryshme, deri tek pastiçja.
Më pëlqejnë shumë erëzat të cilat i përdor natyrisht, aty ku shijojnë vërtet.
Cilin ushqim do ta hanit çdo ditë dhe sërish nuk do t’ju mërzitej?
Sallatërat në përgjithësi, por në veçanti atë marule me rukola e farëra të ndryshme, si ato të lulediellit, sojës, nisur edhe nga vetitë kurative.
Cila është pjata që ju rikthen pas në kohë, në fëmijëri? Nuk kam turp ta them, trahanaja.
Gjyshja na i gatuante me cigaridhe.
Fshati ofron shumë mundësi.
Ishte mjaft e shijshme, ndërsa në shtëpi nëna na e gatuante me vaj ulliri e salcë, ose vaj ulliri e djathë.
Kur isha e vogël, kisha një komshi që kishte shumë fëmijë, 7.
E quanin Agllai.
Për t’i mbledhur fëmijët e shumtë, siç thotë populli me lugë, e gatuante trahananë çdo mëngjes.
Unë do të isha pjesë e tyre, në tepsinë e madhe që vihej mbi tavolinë nuk do të mungonte luga ime.
Trahanaja e saj më dukej shumë më e shijshme se e shtëpisë sonë.
Sa rëndësi kanë për ju detajet që nga përgatitja e pjatave, dekorimi apo elementë të tjerë të përgatitjes së tyre? Të shtruarit e tavolinës është art më vete.
Një tavolinë e bukur të bën ta shijosh vërtet edhe më tepër ushqimin.
Por sot jeta është shumë intensive, e nuk bëhemi e gjithë familja bashkë në një kohë për ta shtruar tavolinën vërtet bukur.
Si të thuash jemi bërë më praktikë, më të thjeshtë në të përditshmen tonë.
Mbetet si rrallë herë të shtrohet me gjithçka që ta kënaq syrin, në raste festash apo gëzimesh familiare.
Megjithatë, mua nuk më mungon kurrë qiriri në mes të tavolinës, trashëguar nga e mira vjehrra ime, një katolike aristokrate në sjellje e tradita.
Në gatimin e supës së peshkut ishte pa konkurrencë.
Sa shpesh gatuani në shtëpi për familjen tuaj? Po për miqtë, ju pëlqen t’i mblidhni për darkë në shtëpinë tuaj?
Gatuaj çdo ditë, jo vetëm sot që e kam vetë në dorë menaxhimin e kohës, por edhe atëherë kur ngarkesën e punës e kam pasur pa limit kohe.
Dikur po, ndërsa tani parapëlqej të dal jashtë shtëpisë, zakonisht në zonat rurale ku natyra të shplodh.
Ka ndonjë recetë të veçantë që ju e gatuani edhe sot e kësaj dite, si në rininë tuaj të hershme? Janë petullat me bishta qepësh të njoma të grira imët, me nenexhik e erëza të tjera.
I kam mësuar prej gjyshes.
Në Leskovik i quanin qifte.
Cili është sekreti që fshihet pas pamjes tuaj prej vajze të re: qendrat estetike apo maskat me produktet bio të përgatitura vetë në shtëpi?
Nuk jam dalluar për frekuentimin e qendrave estetike.
Edhe në përdorimin e kremrave kam qenë e rezervuar.
Nganjëherë është edhe çështje geni thotë populli.
Mendoj se larja e fytyrës edhe çdo mbrëmje para gjumit, me ujë e jo locionet e ndryshme, është diçka e mirë, një porosi kjo sërish prej gjyshes sime.
Ndonjëherë e lyej fytyrën me të verdhën e vezës e pasi thahet, e fërkoj.
Bashkë me vezën largohen edhe papastërtitë e lirohen poret.
Edhe ky fakt, një këshillë prej saj.
Cilat janë ushqimet që konsumoni dhe ju bëjnë të ndjeheni në formë, pavarësisht kohës që kalon? Perimet dhe frutat.
Ndër perimet futet edhe karota të cilën e shijoj shumë.
Më pëlqen ta konsumoj, pasi e pastroj dhe vendos në frigorifer.
Bëhet më krokante, më e lehtë në përtypje dhe shumë e shijshme.
Jeni një figurë shumë e dashur për publikun shqiptar, pasi identifikoheni me fillimet e gazetarisë në Shqipëri. Keni nostalgji? Natyrisht, gjithkush ka nostalgji për punën e bërë, për vitet e rinisë.
Televizioni, bashkë me të dhe radioja, pasi kam punuar relativisht gjatë paralelisht, janë magji.
Kam derdhur gjithë energjitë e mia, vullnetin, pasionin, përgjegjshmërinë, sakrificën, pasi kam qenë nënë e dy fëmijëve për t’i dhënë ekranit të vogël, e përmes tij teleshikuesve, më të mirën e mundshme profesionale.
Cili është mendimi juaj për moderatoret e ekraneve?
Çdo kohë ka prurjet e veta. Kujtoj në kohën time folësa në Radio – Tirana e televizion si Vera Zheji, Elsa Xhai, Feride Konomi, Meropi Matlija, Viron Noti, Liliana Meçani, Kiço Fotiadhi, Virgjil Kule, Dhimitër Gjoka, Arben Kamberi, Roland Roshi, Ismail Shara, Amalia Dhamo, më pas Vjollca Vokshi, Reiz Çiço,etj.
Mandej sahati shkon gjithmonë përpara e ashtu si ai, edhe zhvillimi.
Me plot gojën e them se ka moderatore lajmesh dhe emisionesh të karaktereve të ndryshme.
Mund të përmend Ilva Taren, Eni Vasilin, Rudina Xhungën, Genta Popën, Ilir Paçon që kanë dalë nga shkolla e madhe që mban emrin RTSH.
Ka dhe shumë emra të tjerë që edhe pse të rinj, do ta fitojnë përvojën ndër vite e do të lënë emrin e tyre në fushën e medias.
Nëse do ta fillonit sërish karrierën tuaj nga e para, çfarë do të bënit ndryshe?
Gjithmonë ka vend për të mësuar.
E kam konsideruar veten gjithmonë nxënëse.
Jam përpjekur të jem vetvetja edhe pse kam mësuar nga të tjerët.
Ajo që më ka dalluar e që më bën të njohur, jo vetëm nga ata që më kanë përjetuar, por edhe nga më të rinjtë, rrëfyer prej prindërve të tyre, ka qenë jo vetëm zëri origjinal, larg imitimeve, por thjeshtësia dhe pastërtia e gjuhës shqipe në komunikimin që të lidh me njerëzit e të gjitha kategorive sociale, të lidh me kombin.
Në punën time, motiv parësor ka qenë vetëm një: të përcjell mesazhin e qytetarisë, të paqes dhe të vlerës.
Çdo të bëja ndryshe.
Më shumë gazetari investigative për të frenuar shumë nga dukuritë negative që pengojnë zhvillimin e shoqërisë e të vendit, sipas shtetit ligjor.
Ku e gjeni veten tanimë që jeni tërhequr nga ekrani? Ku do t’ju shohim së afërmi?
Prej 6 vitesh jam në pension, por jo e pa punë.
Përkundrazi kam më shumë kohë t’i përkushtohem arkivave e bibliotekave.
Kam realizuar një numër dokumentarësh, në veçanti të karakterit historik, kushtuar personaliteteve të shquara të kombit tonë, të vlerësuar kudo ku janë shfaqur brenda e jashtë vendit si “Migjeni ky uragan”, “ Martin Camaj i papërsëritshëm”, “Imzot Vinçenc Prendushi”, “Golgota e Lazer Radit”, “Në apogje” etj.
Ndërkohë jam duke punuar për një nga legjendat e gjuhës shqipe, akademikun dhe studiuesin, Shaban Demiraj.
E në këtë aktivitet gjej rastin të falenderoj montazhieren e mrekullueshme Donika Gjebrea, e cila gjithashtu ka dalë në pension, por edhe operatorët, Agim Kuri, Bujar Kore, Esat Çuçllarin.
Kozeta Raftin si formuluese muzike e grafistët, Albert Thoma e Armand Islami.
Për punën time ndër vite kam disa vlerësime mes të cilave veçoj: Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të dytë (1985).
Urdhërin “Naim Frashëri i Artë”, (2012) akorduar nga presidenti Bamir Topi me propozimin e presidentes së Fondacionit mbarëkulturor “Nermin Vlora Falaschi”, zonja Zenepe Luka.
“Çmimin e karrierës” nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, (2013).
“Çmimin e karierës” për vitin 2010, nga Albanian Life Quality Union.
“Mirënjohje” nga Fondacioni Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi” 2012.
Ambasadore e Paqes, nga Federata Botërore e Paqes, 2010. Gruaja e Paqes për vitin 2009, nga Qendra Ndërkombetare për Paqe mes popujve, me qendër në Assisi, Itali etj. nga shoqata të ndryshme.