Rindërtimi, infrastruktura dhe përmirësimi i shërbimeve të qytetarëve do të jenë në fokus të qeverisë për 2022-in sipas Taulant Ballës, i cili në një intervistë për A2 CNN, rendit objektivat politike të socialistëve.
“Përmbyllja me kaq shpejtësi e rindërtimit është një prej arritjeve dhe përgjegjësive ende në vijim, se ka ende familje që po presin. Projektet e infrastrukturës në vazhdim janë sfidë e madhe për qeverisjen tonë”, thotë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste.
Balla flet dhe për procesin e digjitalizimit, që sipas tij, është ilaç në luftën kundër korrupsionit dhe shërbimit ndaj qytetarëve.
“Shmangia e kontaktit midis zyrtarit dhe qytetarit është i vetmi ilaç për të shëruar plagën e korrupsionit, mandati i tretë do të bëj diferencë për sa i përket shërbimeve ndaj qytetareve”, vijon ai.
Ndryshime gjatë 2022-shit priten edhe në kodin zgjedhor, për të cilin Balla, tregon dhe sugjerimet e tij.
Për Ballën, “hapja e listave ishte një moment historik, sepse qytetarët kishim mundësi të votonin edhe kandidatin, dhe mendoj se ky ka qenë një hap i madh që duhet përmirësuar por jo zmbrapsur”.
Ngritja e një komisioni të ri për reformën zgjedhore është dakordësuar parimisht nga të dyja palët, ndërsa pritet që të formohet gjatë sesionit të ri parlamentar.