Ta rrisim unitetin dhe të bashkojmë forcat

 

 

Koha Javore: Z. Vilson, para një muaji në Michigan u themelua një shoqatë e re, me emrin, “Jehona e Malësisë”, në krye të së cilës u emëruat Ju. A mund të na tregoni, si lindi ideja apo nevoja për të jetësuar këtë shoqatë?
V. Sinishtaj: Së pari ju falënderoj për mundësinë që më dhatë për të prezantuar shoqatën, përkatësisht organizatën tonë për lexuesit Tuaj. Veprimet humanitare dhe patriotike janë traditë e Malësisë dhe e shqiptarëve kudo, e veçanërisht në mërgim, ku unë pata fatin që nga fillimi i shkollimit të mesëm në SHBA, që njëri ndër profesorët e mi të jetë edhe i nderuari, prof.dr. Prenkë Ivezaj, nga i cili mësova shumë për veprimtarinë e organizuar të çështjes kombëtare, ku në të njëjtën kohë u kyça në këto veprimtari që diaspora jonë bënte në kohën e luftës për çlirimin e Kosovës. Po ashtu, në vitet studentore kam qenë pjesë e organizatës së studentëve shqiptar në “Wayne State University”. Nga ajo kohë, herë pas here kam kontribuar në shoqata përmes aktiviteteve të ndryshme në shërbimin e nevojave dhe kushtrimeve qe kishte atdheu. Përvoja të ngjashme kishin edhe anëtarët e tjerë të shoqatës tonë. Ne si gjeneratë e re këto virtyte dhe ide i morëm

nga veprimtarët e mëdhenj të komunitetit tonë në Detroit, të cilët asnjëherë nuk u kursyen që t’i dalin në ndihmë vendlindjes. Si grup formues kemi punuar edhe në të kaluarën për disa çështje kyçe të caktuara për t’i ardhur në ndihmë Malësisë, por jo vetëm, ndërsa për t’i bërë këto organizime edhe më të suksesshme vendosëm që t’a zyrtarizojmë këtë bashkëpunim.

Koha Javore: Cili është misioni i kësaj shoqate të re në komunitetin shqiptar në Michigan?
V. Sinishtaj: Kjo shoqatë ka përpiluar një program dhe mision të mirëfilltë i cili gjendet në ueb faqën tonë, por do të përpiqem që ta përshkruajë me disa fjalë të shkurtra. Qëllimi ynë është që ta rrisim unitetin dhe të bashkojmë forcat, të bashkojmë kuadrot intelektuale, profesionale dhe financiare në diasporën malësore, për të ndikuar pozitivisht në jetën dhe në të drejtat kombëtare të Malësisë, sepse duke ndihmuar Malësinë, ndihmojmë edhe atdheun.

Koha Javore: Na flisni se çfarë aktivitetesh ka realizuar shoqata juaj deri më tani?
V. Sinishtaj: Projektet tona kryesisht kanë të bëjnë me karakterin modern, apo modelin amerikan, si për nga qëllimi ashtu dhe për nga zbatimi i tyre. Për të qenë më i qartë do

të mundohem që ta shpjegoj se ne, do të tentojmë të krijojmë mekanizma të zhvillimit dhe forcimit në komunitetin tonë, përkatësisht në Detroit, si nga ana kulturore, ekonomike, e po ashtu edhe nga koordinimi i veprimtarisë që mund ta quajmë, patriotike. Diaspora malësore në SHBA ka shumë kuadro të zhvilluara – profesionistë të lëmive të ndryshme. Prandaj, ne do të tentojmë që t’i bashkojmë ato në shërbim të nevojave të qytetarëve malësorë, por në të njëjtën kohë edhe të atdheut. Kur bëhet fjalë për aktivitete publike, ne shënuam manifestimin e 150-vjetorit të lindjes të kolosit të madh, Atë Gjergj Fishtës, i cili ishte edhe aktiviteti i parë publik i shoqatës sonë që u prit shumë mirë nga komuniteti ynë këtu, por edhe më gjerë, gjë që na frymëzon që të punojmë edhe më shumë.

Koha Javore: A keni menduar të bashkëpunoni me shoqata të tjera shqiptare të cilat veprojnë në Michigan apo Nju Jork. Nëse po, çfarë do të jetë në fokusin Tuaj të bashkëpunimit me to?
V. Sinishtaj: Si prioritet i misionit tonë është bashkëpunimi me shoqata dhe institucione të tjera. Vetë fakti se në evenimentin

kishim të ftuar dhe ishin prezentë pjesëtarë dhe drejtues të të gjitha shoqatave dhe institucioneve të ndryshme, disa nga të cilët udhëtuan më se 1.000 km për të marrë pjesë. Prandaj, ky fakt tregon seriozitetin tonë të bashkëpunimit. Ne nuk synojmë as të jemi shoqata më e madhe, dhe as më e rëndësishmja, por thjesht besojmë tek forca e madhe që ka diaspora jonë, dhe këtë forcë tentojmë ta përdorim për bashkëpunim dhe koordinim në projekte të ndryshme. Kemi edhe plane konkrete për bashkëpunim dhe bashkëveprim pothuajse me të gjitha shoqatat, me të cilat fokusimi i përbashkët është Malësia.

Koha Javore: Prej sa anëtarësh përbëhet shoqata juaj dhe sa aktiv dhe të gatshëm janë ata që t’u shërbejnë objektivave të shoqatës?
V. Sinishtaj: Kjo shoqatë ka arritur që në javën e parë të ketë mbi 100 anëtarë, dhe çdo ditë ky numër është në rritje e sipër. Gatishmëria e malësorëve për ta ndihmuar vendlindjen nuk ka kufi, për ç’gjë u jemi shumë mirënjohës dhe i falënderojmë përzemërsisht në përkrahje që kemi marrë pothuajse nga i gjithë komuniteti.

Koha Javore

: Komuniteti shqiptarë në Michigan dhe gjetiu në diasporë, është ngushtësisht i lidhur me vendlindjen. Çfarë kontributi mund të pres Tuzi – Malësia, apo trevat e tjera shqiptare në Mal të Zi nga shoqata juaj, dhe në cilat sfera?
V. Sinishtaj: Po ne pranuam përgjegjësinë që të drejtojmë këtë shoqatë si grup, sepse kishim plane konkrete për t’i ndihmuar Malësisë. Mund të them se do të kemi koncentrim për fushën e arsimit, ekonomisë apo punësimit dhe në kërkesën e të drejtave tona si popull autokton në trevat ku jetojmë. Pra, ne si shoqatë duam të jemi ambasador i fuqishëm i Malësisë.

Koha Javore: Cilat janë projektet më të afërta që shoqata juaj planifikon t’i realizojë në vazhdim të veprimtarisë së saj?
V. Sinishtaj: Ne kemi një projekt specifik për të ndihmuar arsimin në Malësi, përmes një projekti kapital. Po ashtu edhe një projekt për të siguruar punë profesionale njerëzve të kualifikuar në zonën e Malësisë. Pra, kemi filluar me arsimin, zhvillimi i të cilit është jetik për Malësinë, dhe në të njëjtën kohë kemi projekt për trajnimin dhe punësimin profesional të njerëzve të mirëpërgatitur në Malësi. Ne, promovojmë arsimin, punën disnjitoze dhe drejtësinë. Këto programe janë në

fazë të financimit dhe zhvillimit, dhe shpresojmë që ky proces të përfundojë në një kohë jo të largët.

Intervistoi: Toni Ujkaj./kohajavore.me

 

Author: admin