“Syri i kaltër” në Sarandë, i cilësuar si parajsa natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perla e turizmit veror ka tërhequr një numë të lartë turistësh gjatë muajve qershor dhe korrik.
Burimi karstik, vetëm 22 kilometra në lindje të Sarandës, edhe pse është një vend ku nuk mund të bësh plazh për shkak të temperaturave të ulëta të ujit, është sidoqoftë një vend ku mund të freskohesh gjatë ditëve të gjata nën diellin e nxehtë.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Nexhip Hysolakoj tha për ATSH-në se “Syri i kaltër” është një mrekulli natyrore befason turistët vendas e të huaj, të cilët edhe këtë vit, pavarësisht situatës nga koronavirusi kanë qenë të shumtë. Konkretisht gjatë muajve qershor-korrik këtë burim e kanë vizituar kanë qenë 7700 turistë, ku shumica kanë qenë vendas, por nuk kanë munguar edhe të huajt si polakë, gjermanë, çekë, francezë, etj.”.
“Ndërsa vetëm gjatë kësaj fundjave pati një fluks të shtuar të turistëve ku të shtunën ishin 352 dhe të dielën 640 turistë”, – tha Hysolakoj.
Turistët ndalen në këtë pikë turistike, fotografojnë, shijojnë ujin e burimeve që rrjedhin, si dhe gatimet në dy lokalet turistike që ndodhen në park. Nuk mungojnë edhe të rinjtë guximtarë që hidhen në ujin e ftohtë të burimit për t’u larë.
Turistët vendas e të huaj nuk harrojnë të blejnë edhe ndonjë suvenir në dy dyqanet që ndodhen në zonë, të cilat tregtojnë bluza me shqiponjën dykrenare, flamuj, qilima, punime balte, etj.
Valbona, një 33-vjeçare nga Tirana shprehet për ATSH-në se “e vizitoj shpesh “Syrin e kaltër”, sa herë që shkoj në Sarandë për pushime. Është një vend shumë i bukur që të ofron qetësi dhe të mahnit me bukurinë e tij sa herë e viziton”.