Gazetari investigativ Artan Hoxha ka hedhur dyshime se vetëm 5 grupe kriminale janë “fuqi” për të kryer sulmin e djeshëm ndaj Top Channel.
Në fjalën e tij gjatë emisionit “Top Talk”, Artan Hoxha tha logjistika ka kushtuar shumë për t’u siguruar, gjë që tregon se kemi të bëjmë me një sulm të mirëmenduar. Megjithatë nuk ka përmendur emra, apo persona tek të cilët dyshon.
“Jo më shumë se 5 grupe janë në gjendje që të kryejnë ngjarje të këtyre përmasave. Nuk dua të merrem më këtë sepse do të merret si spekulim.
Autorët kanë ardhur para Top Channel nga autostrada, kanë kaluar para Top Channel duke marrë drejtimin për Yzberisht dhe janë kthyer për së dyti.
Nga ajo që dëgjohet nga kamera live e emisionit Big Brother, janë 2 armë që qëllojnë, por janë hedhur më shumë predha sesa gëzhoja që janë gjetur. Por mund të kenë mbledhur brenda makinës.
Ata mund të hynin dhe të merrnin peng dhe godinën. Asnjë media në botë nuk merr masa të tilla, pra është e pashmangshme.
Por nuk e kanë pasur atë qëllim. Objektivi i tyre ka qenë ajo që ndodhi. U ka dalë nga skema si në rastin e banakieres,”-u shpreh Artan Hoxha.