Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola.
Eksperti i kriminologjisë Ervin Karamuço ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në oborrin e Top Channel, ku u vra roja i sigurisë Pal Kola, 60 vjeç.
Ai ka publikuar fotografinë e një monedhe 5 lekëshe që u gjet në tokë dhe kishte rënë nga xhepi i 60-vjeçarit.
“Ky 5 lekësh duhet të qëndrojë përgjithmonë në oborrin e Top Channel.
Ishte e vetmja monedhë që ra nga xhepi i të ndjerit Pal….Skam fjalë….”, shkruan Karamuço.
Top Channel është përballur me një situatë të rëndë natën duke gdhirë dita e sotme pasi godinat e saj janë qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar që besohet se ishin mbi një Range Rover i cili pak më vonë u gjet i djegur.
Ngjarja ndodhi sot më 27 mars 2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, kur, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 25 gëzhoja kallashnikovi.
Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi Pal Kola, 60 vjeç, punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve.
Ende nuk dihet se çfarë motivi mund të fshihet pas këtij sulmi të rëndë ndaj televizionit Top Channel.
Sulmi me armë tronditi banorët e reality show Big Brother Vip 2. Ishte ora 01.00 kur breshëria e plumbave nga automatikë Kallashnikov u dëgjua ndjeshëm pranë tyre duke ngjallur frikë dhe ankth.
Policia tha se është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve.
Në autostradën e Kavajës, pranë Golemit, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve. Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura. Në makinë u gjetën edhe dy automatikë top Kallashnikov që u përdorën për atentatin.