Ministrja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss njoftoi një “ngrirje totale të aseteve dhe një ndalim udhëtimi për shtatë nga oligarkët më të pasur dhe më me ndikim të Rusisë”, duke përfshirë Roman Abramovic dhe Oleg Deripaska, të konsideruar të afërt me Vladimir Putin.
Me këtë masë, pronari i Chelsea i sheh asetet e tij të ngrira dhe i nënshtrohet ndalimit të transaksioneve me individë dhe biznese në Mbretërinë e Bashkuar, ndalim udhëtimi dhe gjoba transporti. Të njëjtat masa edhe për sipërmarrësin Oleg Deripaska.
“Sanksionet e sotme, – tha kryeministri britanik Boris Johnson në një deklaratë, – përfaqësojnë hapin më të fundit në mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për popullin ukrainas. Ne do të jemi të pamëshirshëm në ndjekjen penale të atyre që lejojnë vrasjen e civilëve, shkatërrimin e spitaleve dhe pushtimin e paligjshëm të aleatëve sovranë”.
Ndaj edhe procesi i shitjes së Chelsea është pezulluar. Javën e kaluar ishte vetë Abramovic, ai që shpalli shitjen e klubit, kampion bote dhe evropian në fuqi. Do të duhet një ligj tjetër nga qeveria, sepse situata është e zhbllokuar, por aktualisht Abramovic nuk do të mund të përfitojë asgjë nga shitja e mundshme.
Megjithatë, Chelsea ka marrë një lehtësim të veçantë nga qeveria britanike që do t’i lejojë blutë ta përfundojnë sezonin rregullisht, pavarësisht dënimeve për Abramovic. Falë përjashtimit të dhënë për klubin e “Stamford Bridge”, i konsideruar nga autoritetet britanike si me vlerë kulturore, është garantuar një menaxhim i zakonshëm që parashikon vazhdimin jo vetëm të sezonit sportiv (duke nisur nga mbrëmja e sotme, kur Chelsea do të angazhohet në ndeshjen e Premier League në fushën e Norwich), por edhe pagesat për të gjithë anëtarët (nga lojtarët tek stafi teknik e deri te punonjësit).
Nga ana tjetër, Abramovic nga sot do t’i nënshtrohet një lloj ndalimi. Milioneri rus, pronar i bluve prej 19 vitesh, nuk do të mund të marrë pagesa apo përfitime nga klubi që zotëron. Më tej, me efekt të menjëhershëm, dyqanet e mallrave janë mbyllur dhe nuk do të ofrohen bileta të tjera, përveç atyre të shtypura tashmë, për ndeshjet e ardhshme të skuadrës së Thomas Tuchel.