Një nxënës i shkollës 9-vjeçare “Adem Sheme” në Sarandë ka terrorizuar mësuesen dhe 12 nxënësit e një klase, duke hyrë në klasë dhe duke iu drejtuar një pistoletë. Ai i mbajti peng fëmijët dhe mësuesen për mëse 45 minuta duke u drejtuar pistoletën për t’i frikësuar. Më herët ai kishte kërcënuar nxënës të një klase tjetër me thikë në dorë.
Kjo ngjarja u raportua nga prindër të nxënësve dhe ndodhi pasditen e së hënës në mjediset e gjimnazit “Hasan Tahsini”, atje ku bëjnë mësimin nxënësit, pas fillimit të punimeve për rikonstruksionin e shkollës.
Prindërit denoncuan se nxënësi 14-vjeçar, përsëritës, i klasës së 6 D ka terrorizuar për 45 minuta, 12 nxënës edhe mësues të klasës duke përdorur një mjet, të identifikuar nga këta të fundit si pistoletë. Fëmija është i jetimores.
Për këtë ngjarje, ministrja e Arsimit Evis Këshillit dhe stafi i saj nxituan të thonë se pistoleta ishte e rreme, por harruan se fakti nuk është kaq i thjeshtë: Sikurse denoncuan prindërit, 12 nxënës dhe mësuesja e tyre u mbajtën peng të izoluar në klasë nga 14 vjeçari që i kërcënonte me objektin si armë zjarri për mëse 45 minuta.
Policia në Sarandë u përpoq ta sfumojë ngjarjen me një komunikatë minimaliste: “Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurorinë e Sarandës, për një shtetas të mitur 14 vjeç, banues në Sarandë, pasi kanë bërë kallëzim disa bashkëmoshatarë të tij, se në shkollën ku studiojnë së bashku, në Sarandë, 14-vjeçari i ka kanosur ata, me një objekt plastik (pistoletë lodër)”.
Gjithsesi, materialet iu referuan Prokurorisë, për vlerësim, në bazë të Udhëzimit të Përgjithshëm nr.15, datë 30.10.2020, të Prokurorit të Përgjithshëm.
Pavarësisht se pistoleta ishte lodër apo armë zjarri, akti ishte i rëndë. Ndaj prindërit kanë hezituar këto ditë që të dërgojnë fëmijët në shkollë.
Për më tepër ata kanë vendosur të denoncojnë rastin edhe në polici, pasi sipas tyre është rast i përsëritur nga i njëjti nxënës, i cili vazhdimisht kryen akte dhune ndaj fëmijëve të tyre.
Prindërit e nxënësve të shkollës “Adem Sheme” gjithashtu shprehen se kanë vendosur të mos i dërgojnë fëmijët në shkollë deri në normalizimin e situatës dhe marrjen e masave.
Protestat e prindërve dhe nxënësve
Ndërkohë ka vijuar edhe sot për të dytën ditë me radhë protesta e prindërve dhe nxënësve në shkollën “Adem Sheme” në Sarandë.
Protesta zhvillohet për pasigurinë e nxënësve në ambjentet e shkollës.
Ditën e sotme protestës i janë bashkuar edhe klasa të klasa të tjera të shkollës “Adem Sheme”, nxënësit e së cilës e zhvillojnë mësimin në gjimnazin e qytetit.
Burime të Saranda Web informojnë se ndaj mësuesve po ushtrohet presion nga ana e strukturave shtetërore për të mos u bashkuar me protestën dhe u është lënë ultimatum ose bindni nxënësit të hyjnë në mësim ose ikni nga puna.
Lindin shumë pyetje
Trajtimi dhe marrja e masave për fëmijët që shfaqin probleme – në çdo shkollëekziston psikologu, i cili ka për detyrë të trajtojë dhe të këshillojë fëmijët të cilët kanë probleme.
Lindin pyetjet:
1.Në rastin konkret a është marrë me këtë nxënës psikologu i shkollës?
2.A është trajtuar ky nxënës për problemet dhe sjelljen që shfaq?
3.Çfarë masash edukimi dhe trajnimi janë marrë nga shkolla për këtë rast të përsëritur?
Çfarë thotë Evis Kushi
“Informacioni na ka ardhur që mbrëmë. Pretendohet se ka qenë pistoletë lodër. E kemi referuar në organet kompetente.
Nga shkolla na kanë thënë që pistoleta ka qenë lodër. Edhe sikur të ketë qenë kështu sërish është akt i rëndë.
Djali është i shtëpisë së fëmijës, ndaj sot është bërë një takim ndërinstitucional. Madje është kërkuar edhe të transferohet.
Në momentin që ne do të kemi informacion zyrtar nga policia patjetër do të marrim masa.
Është një rast shumë delikat se ky fëmijë ndër vite ka qe problematik, kështu që do të ndjekim me më shumë prioritet”, ka thënë ministrja.
Siguria në shkollën “Adem Sheme”, reagon PD në Sarandë
Në një situatë të tillë, alarmante për sigurinë në shkolla, jo vetëm që nuk është marrë asnjë masë, por ministria përkatëse e kalon situatën duke thënë se nxënësi në fjalë është problematik, pa familje dhe mjeti i përdorur mendohet se ishte një pistoletë false.
Të ndodhur para faktit të kërcënimit për jetën të fëmijëve të tyre dhe mos marrjen e asnjë mase për parandalimin e këtij rasti të përsëritur, prindët në shenjë proteste u mblodhën para derës së shkollës, aty ku fëmijët e tyre zhvillojnë tashmë mësimin, dhe vendosën që fëmijët e tyre të bojkotojnë mësimin.
Në emër të Partisë Demokratike, foli për mediat, Matilda Qurku, anëtare e Kryesisë së PD. Ajo tha se kjo parti solidarizohet me pprindërit mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle.
“Nisur nga kjo ngjarje e paprecedentë parashtroj dhe kërkoj nga institucionet përgjegjëse marrjen e menjëhershme të masave, jo vetëm për mospërsëritjen e ngjarjeve të tilla, por edhe garantimin e zhvillimit të mësimit në kushte normale dhe të sigurta për të gjithë nxënësit e rrethit Sarandë.
Rasti i mësipërm sjell në vëmendje një sërë problematikash të arsimit, për të cilat kërkohet reagim i menjëhershme i organeve përgjegjëse dhe marrja e masave të menjëhershme.
Siguria në shkolla – është për të ardhur keq që po flasim sot për mungesë sigurie në mjediset e mësimëdhënies, ku kjo mungesë sigurie nuk është vetëm për nxënësit por edhe për vetë mësuesit të cilët ndihen “të pafuqishëm” për të zhvilluar orët e mësimit dhe për të vendosur rregull në klasat përkatëse prej “fëmijëve problematikë” siç i quan edhe vetë znj ministre.
Asnjë trajtim, asnjë masë e marrë për trajtimin e këtyre fëmijëve që prej mungesës së ngrohtësisë familjare dhe mospatjen e vëmendjes nga institucioni përkatës, klasifikohen në nxënës problematikë dhe kërcënim për bashkëmoshatarët e tyre
Flasin prindërit e nxënësve të shkollës “Adem Sheme” Sarandë
Prindi: Kërkojmë nga ana e institucionit, drejtorisë së shkollës që fëmijët tanë të kenë siguri në shkollë. Jo më larg se mbrëmë ka pasur një incident të përsëritur edhe më parë. Ku një fëmijë në klasë paralele me fëmijët tanë, i ngelur disa herë në klasë, është bërë problem në shkollë. Mbrëmë në orën e pestë të mësimit, fëmija i quajtur xxx… Ka hyrë me një mjet që fëmijët e kanë parë si pistoletë. Ia drejtoi mësueses dhe i tha duart lart. I ka mbajtur për një minutë ashtu në tmerr. Mësuesja është lidhur më pas me drejtoreshën.
Mësuesja, nga informacionet që kemi thotë që mos i bëni gjë sepse lodra i ka, s’janë të vërteta. Një javë më parë, i ka kërcënuar fëmijët me thikë. I ka mbajtur 45 minuta të izoluar në klasë. Asnjë nga shkolla nuk ka pyetur për këta fëmijë. Deri diku, fëmijët na i kanë mbajtur dhe të fshehtë”.