Pas disa seancash të dështuara, ditën e sotme Gjykata e Posaçme e Apelit nisi rishqyrtimin e dosjes në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në seancë, prokurorët e SPAK-ut këmbëngulën për deklarimin fajtor të Tahirit për akuza që e lidhin atë me trafikun e drogës dhe grup të strukturuar kriminal. Ata i kërkuan gjykatës dënimin me 12 vite burg.
Por, duke qenë se gjykimi është bërë me procedurë të shkurtuar, i kërkuan që të ulet edhe 1/3 e dënimit, duke kërkuar një dënim përfundimtar prej 8 vitesh burg.
I njëjti dënim është kërkuar edhe për Jaeld Çelën.
Ndërkohë, Saimir Tahiri pretendoi se nuk qëndron asnjë prej akuzave të ngritura kundër tij, duke thënë se nuk ka pasur asnjë kontakt me anëtarët e grupit të Habilajve.
Seanca u ndërpre pasi u fikën dritat dhe pritet të rifillojë.
Ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.
Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.