Afati që Grupi i Rithemelimit të Partisë Demokratike, i udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha, i dha kryetarit aktual të PD-së, Lulzim Basha për të liruar selinë blu përfundon ditën e sotme.
Berisha ka kërcënuar se do të shkojë në ‘shtëpinë e demokratëve’, teksa Basha i është përgjigjur duke bërë disa ndryshime në godinë, duke blinduar derën kryesore e duke u përgatitur për ndonjë skenar të mundshëm.
Nuk dihet se çfarë do të ndodhë sot në selinë e partisë më të madhe opozitare në vend, ndërsa Lulzim Basha ka theksuar se situata do të vijojë në normalitet, pa ngjarje të pazakonta.
Ditën e djeshme ka pasur një përplasje virtuale mes Komisionit të Rithemelimit dhe PD të Bashës. Komisioni i Rithemelimit tha se Basha Partinë Demokratike po e kthen në një bunkier ndërkohë që kryedemokrati u shpreh se ish-kryeministri Berisha po nxit dhunë me deklaratat dhe aktet e tij.
Lideri historik i Partisë Demokratike, Berisha do të udhëheqë një protestë kombëtare, disa javë pas asaj që thirri kundër vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiç në Tiranë.
Në një njoftim të publikuar nga Berisha, nënvizohet se selia e demokratëve nuk është “bunker i pengut”, duke iu referuar kryedemokratit Lulzim Basha, por sipas tij është shtëpia e demokratëve.
Ish-kryeministri u shpreh disa javë më parë se data 8 janar do të jetë një protestë e fuqishme kombëtare ku 44 mijë anëtarë të PD-së që firmosen të bëjnë historinë do të marrin në dorëzim ndërtesën e Partisë Demokratike.
“Vendimi s’ka apelim. Do vijnë në Tiranë te selia për të shpëtuar pluralizmin. Vetëm Edi Rama e mban”, tha Berisha.
PD nga ana tjetër akuzon ish-kryeministrin Berisha se po përgatit një sulm ndaj PD nën shoqërimin e personave të inkriminuar.
“Sali Berisha mund të shoqërohet me trafikant droge të shpallur non-grata në Mbretërinë e Bashkuar, pjesë e organizatës kriminale B9. Mund t’i ftojë në shtëpi, familjarët e tij mund të bëjnë edhe biznes me pasuri të paluajtshme me ta në një skemë të pastër pastrimi parash, si dhe mund të ndajnë edhe fitimet nga bizneset me lojrat e fatit, por kurrë nuk kanë për t’u lejuar më të bëjnë biznes me sakrificën e demokratëve”, thuhet në reagimin e PD-së.
Përçarja brenda partisë më të madhe opozitare shqiptare erdhi pas largimit nga grupi Parlamentar i PD të liderit historik Sali Berisha, me arsyetimin se ai ishte shpallur non grata nga SHBA.