Rusia dhe Ukraina pritet të ulen sërish sot në bisedime, për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që të parandalohet lufta ruse mbi ukrainasit, e cila ka hyrë sot në ditën e shtatë.
Mediat ruse raportuan dje se sot do të zhvillohet raundi i dytë i bisedimeve mes dy vendeve.
Kujtojmë se dy ditë më parë u zhvilluan mbi 6 orë bisedime mes Kievit dhe Moskës në Gomel të Bjellorusisë, por që u mbyllën pa një zgjidhje.
Ukraina ka thënë se dëshiron armëpushim dhe tërheqje të ushtrisë ruse, teksa Kremlini ka thënë se nuk do ta bëjë publik qëndrimin e tij.
Mykhailo Podoliyak, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyi, ka thënë pas takimit të djeshëm se negociatat janë të vështira, por pa ndonjë ultimatum detyrues.
“Fatkeqësisht, pala ruse është ende tejet e njëanshme sa i përket procesit shkatërrues që ka nisur”.
Negociatorët rusë kanë përmendur arritjen e një marrëveshjeje që është në interesin e të dyja palëve.
Vladimir Medinsky, udhëheqës i delegacionit rus, ka thënë se takimi i ri do të zhvillohet në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë.