Data 8 dhjetor është shpallur, nga Kuvendi i Shqipërisë si Dita Kombëtare e Rinisë, në vitin 2009, në nderim të Lëvizjes së Studentëve të Dhjetorit të 90-ës që u bënë iniciatorë të kthesës më të madhe historike në vend.
Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, një grup studentësh të Universiteteve të Tiranës, përkrahur dhe nga pedagogë të tyre, e vranë të parët frikën dhe sollën rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë me anë të protestave paqësore, njofton Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”. Në protestat e tyre të rinjtë shqiptarë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Europë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.
Të rinjtë u bënë iniciatorë të dhënies fund të epokës së vetë izolimit dhe sundimit ideologjik dhe të hapjes rrugë të ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.
Studentët protestues të Dhjetorit ’90 kishin aspirata dhe ideale të larta kombëtare, të cilat mbeten shkolla më e mirë e demokracisë.