Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka deklaron pasuri familjare me vlerë 756 milionë lekë të investuara kryesisht në pasuri të patundshme dhe kapitale biznesi. Pavarësisht burimeve të deklaruara, ai rezulton me burime të pamjaftueshme financiare për dy vite të karrierës.
Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI.
Lefter Koka ka përfunduar studimet në Fakultetit e Shkencave Juridike në Strugë. Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat. Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa prej vitit 2009 është deputet i Kuvendit të Shqipërisë nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndryshe nga shumica e deputetëve të opozitës, Lefter Koka nuk pranoi ta djegë mandatin e deputetit në shkurt 2019, ndërsa në nëntor 2020 ai iu bashkua Partisë Socialiste.
Ky raport u prodhua nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës për pasuritë e anëtarëve të Këshillit të Ministrave gjatë viteve 2013-2020.
Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga ish-ministri Lefter Koka nga viti 2003 deri në fund të vitit 2018. [Kliko për skedën në PDF]
Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2003, Lefter Koka deklaronte pasuri me vlerë rreth 204 milionë lekë, e përbërë kryesisht nga kuotat e tij në tre kompani biznesi. Ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria familjare e Z.Koka është rritur me mbi 3 herë, duke kapur vlerën e rreth 756 milionë lekëve.
Z.Koka deklaron familjarisht pasuri të patundshme me vlerë 495.9 milionë lekë, pjesë në kapital prej gati 242 milionë lekësh, likujditete bankare prej 11 milionë lekësh, automjete me vlerë 5.1 milionë lekë dhe kursime në cash prej 2.7 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare gjatë periudhës deklaruese janë 286.5 milionë lekë, nga të cilat rreth 53% kanë si burim të deklaruar shitjen e pasurive të patundshme dhe 8% të ardhurat nga qiratë. Paga e Z. Koka zë 8% të totalit, ndërsa pagat e familjarëve rreth 4%. Ndonëse zotëron vlera të konsiderueshme si kapitale në kompani biznesi, fitimet e deklaruara prej tyre janë vetëm në masën 0.40% të të ardhurave totale.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrollin aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit, dy prej deklaratave rezultuan me probleme.
Ish-ministri Lefter Koka dhe bashkëshortja e tij rezultojnë me burime të pamjaftueshme financiare të deklaruara në vitet 2013 dhe 2014; përkatësisht në shumat 6,700,597 lekë dhe 117,161,280 lekë, pavarësisht burime të konsiderueshme të deklaruara nga huatë, kreditë dhe të ardhurat nga shitja e apartamenteve.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi