Prokuroria e Tiranës thotë se ka zbardhur skemën e bërjes publike të të dhënave personale të shtetasve shqiptarë, si pagat, apo targat e makinave. Për këtë çështje, janë arrestuar 4 persona, dy punonjës të administratës dhe dy persona të tjerë.
Sipas Prokurorisë, nuk kemi të bëjmë me hakim të të dhënave, por marrje të tyre nga specialistja e IT e Drejtorisë së Tatimeve, e cila është arrestuar bashkë me një koleg të sajin.
“Kemi identifikuar 4 autorë, 2 janë punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, si punonjës IT, për të cilët ka dyshime se prej tyre kanë rrjedhur të dhënat personale”, tha prokurorja e Tiranës, Elizabeta Imeraj.
“Specialistja e IT e tatimeve, e punësuar në AKSHI, duke pasur akses në sistem ka marrë të dhënat dhe i ka shpërndarë te kolegu, i cili ia ka shitur subjekteve private. Pra nuk kemi hakim të rrjetit, por punonjës që kanë shpërdoruar detyrën dhe i kanë shitur këto të dhëna. Janë arrestuar edhe 2 autorë të tjerë të dyshuar, të cilët punojnë në sektorin privat që kanë blerë këto të dhëna”.